550 mijë euro është shifra e përcaktuar për shitjen e klubit të futbollit Gjilani nga pronari i këtij klubi, Florim Zuka. Ai e ka financuar gjatë klubin, që për disa vjet ishte prej më stabilëve në vend dhe me rrogat ndër më të mëdhatë. Dhe Zuka tani nuk synon të fitojë financiarisht nga shitja e Gjilanit, klub që në vjeshtë ishte në krizë të thellë financiare. Zuka disa muaj më parë ka dhënë dorëheqje, por askush nuk e mori drejtimin e Gjilanit.
Synimi është që me paratë e shitjes Gjilani të shlyejë borxhin ndaj lojtarëve, trajnerëve dhe anëtarëve të tjerë.
KOHA posedon kopjen e ofertës për shitjen e Gjilanit. Zuka ka autorizuar studion ligjore “Global Legal Business” për shitje të klubit.
Avokati Arsim Vranovci ka thënë se oferta për shitje të klubit pritet të hapet të premten ose më së largu të hënën.
“Florim Zuka si pronar i vetëm i SC Gjilani SH.P.K., për shkak të vështirësive financiare dhe dëshirës që klubi të arrijë suksesin e synuar, detyrohet të bëjë transferimin (shitjen) e 100 % të aksioneve të klubit në vlerën monetare prej 550 mijë eurosh tek pronari i ardhshëm”, shkruan në informatën rreth shitjes.
Klubi i futbollit Gjilani është Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK). Prej largimit të Zukës nga posti i kryetarit, klubi vazhdon të mos ketë president dhe kryesi. Me gjithë gjendjen jostabile, Gjilani ka pasur rezultate të mira në vjeshtë në Superligë. Pozita në tabelë dhe rezultatet e deritashme janë të paraqitura edhe në ofertë.
Avokati Vranovci ka theksuar se krahas thirrjes publike për bizneset e interesuara në Kosovë, për të marrë në pronësi klubin Gjilani do të ketë edhe thirrje ndërkombëtare.
“Uroj që sa më parë të bëhet shitja e klubit. Shpresoj që dikush do të jetë i gatshëm të blejë klubin për shumën e caktuar. Do të dëgjojmë secilin prej të interesuarve dhe nëse arrijmë këtë shifër atëherë do të nisim menjëherë me procedurën e shitjes”, ka thënë avokati Vranovci për KOHËN të enjten.
Për shkak të situatës ende të pazgjidhur, javë më parë është larguar trajneri Zekirija Ramadani. Ramadani ka thënë se FIFA ia kishte shkëputur kontratën. Largimin nga Gjilani e kanë kërkuar edhe shumë futbollistë. Lojtarët e huaj të Gjilanit kërkesën e kanë bërë në FIFA, ndërsa ata të vendit në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Disa lojtarë të Gjilanit në kushte anonimiteti i kanë thënë KOHËS se FFK-ja ende nuk ka vendim për shkëputjen e kontratave, me gjithë borxhet e klubit ndaj tyre. Sipas lojtarëve, FFK-ja u ka kërkuar afat edhe dy ditë.
“Kemi qenë një grup i lojtarëve dhe kemi kërkuar nga FFK-ja shkëputje të kontratës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe pse ne nuk jemi paguar gjashtë muajt e fundit. Kemi luajtur pa para për Gjilanin dhe tani nuk po gjejmë zgjidhje as nga FFK-ja. Për ne është vonë, sepse tashmë kanë nisur edhe përgatitjet në klubet tjera, kurse neve nuk na është thënë asgjë”, ka thënë një lojtar i Gjilanit.
KOHA ka kërkuar një përgjigje edhe nga sekretari i FFK-së, Taulant Hodaj. Hodaj nuk i është përgjigjur mesazhit.
Ndonëse pa drejtues, Gjilani përfundoi stinorin vjeshtor në vendin e katërt me 27 pikë.