Drita e ka nisur me fitore mbrojtjen e titullit të kampionit të Kosovës në futboll.
Ndeshjen me shumë gola ndaj Llapit, Drita e fitoi me rezultatin 5:3.
Ndeshja u zhvillua në Gjilan, të dielën.
Sfida ishte dramatike në pjesën e parë, kurse shikuesit panë katër gola.
Gjilanasit krijuan epërsi 2:0, me golat e Blerim Krasniqit në minutën e 28-të dhe të Igball Jasharit në minutën e 32-të.
Llapi u kthye në lojë pak para pushimit. Fiton Ademi shënoi për 2:1 në minutën e 35-të, ndërsa për 2:2 realizoi Elvir Gashijani.
Megjithatë, Drita e udhëhequr nga trajneri Ardian Nuhiu, nuk lejoi befasi. Shënoi edhe tre gola të shpejtë, me mbrojtësit Besnik Krasniqi, Raddy Ovouka dhe Hajdin Salihu. Krasniqi shënoi në minutën e 48-të, Ovouka në minutën e 58-të dhe Salihu në minutën e 73-të.
Llapi e realizoi edhe një gol me Gentrit Jahën gjashtë minuta para fundit, por që nuk mjaftoi.
