Futbollisti i CD Tenerife, Jesús de Miguel, ka ndërruar jetë të martën, më 3 nëntor, pas lëndimit të rëndë që pësoi në ndeshjen e së hënës kundër FC Andorrës.
Klubi spanjoll e ka konfirmuar lajmin tragjik përmes një komunikate në rrjetet sociale, shkruan Arbresh.info.
Gjendja shëndetësore e futbollistit ishte përkeqësuar gjatë natës, pasi fillimisht ishte mbajtur nën vëzhgim në Spitalin Universitar Nuestra Señora de Candelaria.
Aksidenti ndodhi në minutat e fundit të ndeshjes së zhvilluar në stadiumin “Heliodoro Rodríguez López”, kur De Miguel u përplas me portierin e Andorrës, Jesús Owono, gjatë një dueli për topin.
Përplasja ishte aq e rëndë sa ndeshja u ndërpre përfundimisht në minutën e 108-të, në mënyrë që ekipet mjekësore të hynin në fushë dhe t’i ofronin ndihmën e parë futbollistit.
Ai u transportua menjëherë me ambulancë drejt spitalit, por, pavarësisht përpjekjeve mjekësore, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Njoftimi i klubit:
“Me dhimbje të thellë, me një nyjë në fyt dhe pa mundur ta besojmë se kjo është e vërtetë, CD Tenerife njofton ndarjen tragjike nga jeta të Jesús de Miguel Alameda, këtë të martë, më 3 nëntor 2026, në orën 08:00.
Nuk ka fjalë ngushëllimi dhe asgjë që mund ta lehtësojë këtë trishtim të madh. Jemi pranë familjes së tij të shkatërruar nga dhimbja, pranë të dashurve të tij dhe gjithë tifozëve të Tenerife-s, që sot vajtojnë këtë përfundim mizor”.
Familja e futbollistit ka falënderuar të gjithë për mesazhet e mbështetjes dhe ka kërkuar respekt maksimal për privatësinë e saj në këto momente të rënda./
