Veç 400 euro gjobë për skuadrën e Vëllaznimit, për një ndeshje ku u përdhosën simbolet e shtetit – vepër që edhe mund të kategorizohet si nxitje e përçarjes dhe mos durimit, bazuar në nenin 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, paragrafi 1, por që nga FBK cilësohet vetëm si anim dhe sjellje josportive.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka vendosur ta dënojë skuadrën e Vëllaznimit me 400 euro gjobë, për anim dhe sjellje jo-sportive të tifozëve, por s’pati reagim për dyshimet mbi nxitje të përçarjes nga tifozët, gjatë ndeshjes Vëllaznimi – Trepça.
Kështu ka konfirmuar Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, për lajmi.net, duke thënë se 400 euro gjobë i shkojnë KB Vëllaznimit.
Mirëpo, skenat që shqetësuan më shumë ishin ato para fillimit të ndeshjes, kur tifozët vërshëllyen himnin e Republikës së Kosovës. Për sjellje të tilla, FBK thotë se s’ka parë gjë në raportin e vëzhguesit të ndeshjes, e as në raportin e policisë.
Në kohën kur në sallë u intonua himni i Kosovës, tifozët e vërshëllyen, lëshuan fyerje dhe zgjodhën të këndonin himnin e Shqipërisë.
Shikoni videon e publikuar në Youtube nga Federata e Basketbollit e Kosovës në Youtube nga minuta 01:50 kur fillon intonimi i himnit të Kosovës:
Respektimi i simboleve shtetërore garantohet me anë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sipas paragrafit 1 të nenit 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, thuhet kështu:
Neni 141: Nxitja e përçarjes dhe mos durimit.
Paragrafi 1: Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientim seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.
Mbi bazën e predispozitave të cekura më lart, tifozët e Vëllaznimit, me rastin e intonimit të Himnit të Kosovës, kanë filluar me fyerje të bëra në mënyrë publike (në kor), me qëllim të pengimit të dëgjimit të himnit kombëtar të Kosovës – dyshohet se mund të kenë rënë ndesh edhe me paragrafin 1 të nenit 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës që u citua më lart.
Përkundër gjithë këtyre ngjarjeve, Federata e Basketbollit e Kosovës jo që nuk ka dhënë denim për sjelljet, por e ka cilësuar atmosferën si të jashtëzakonshme.
Gjatë ditës, Federata e Basketbollit e Kosovës reagoi lidhur me një rast tjetër, që ndodhi pikërisht në ndeshjen Vëllaznimi – Trepça. Bëhet fjalë për djegien e një flamuri, akt që ndodhi në tribuna.
FBK ka dhënë sqarimet se ka nisur të hetojë rastin, por që hetimi i tyre bazohet në raportet e vëzhguesve, gjyqtarëve etj, raporte të cila s’flasin megjithatë për atë djegie të flamurit. Megjithatë, shqetësues mbetet fakti që as në reagimin e lëshuar sot, FBK “nuk e ka parë të arsyeshme” të reagojë lidhur me përdhosjen e himnit kombëtar të Kosovës, qoftë edhe në lloj të thirrjes sensibilizuese, meqë Federata e Basketbollit e Kosovës organizohet dhe shtrinë veprimin e saj përbrenda Republikës së Kosovës dhe bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës.
Lajmi.net ka marrë megjithatë një prononcim nga Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, e cila ka dhënë disa detaje për ecurinë e procesit lidhur me këto ngjarje.
“Komisioni i garave ka marrë vendime dhe ka propozuar të iniciohet procedurë disiplinore ndaj Vëllaznimit, dhe unë nuk jam e thirrur të deklarohem për Komisionin e Garave as për Komisionin Disiplinor. Komisioni Disiplinor planifikon të grumbullohet të premten dhe pas aty dilet me vendime. Komisioni ftohet për të diskutuar dhe pastaj vendos. Komisioni është ftuar për djegie të flamurit”, ka thënë sekretarja e FBK, Dushku për lajmi.net.
Tutje, sekretarja e FBK shpjegoi edhe rastin e vërshëllimave ndaj himnit, që mund të cilësohet edhe si nxitje përçarje ose mos durimi. Ky veprim, sipas Dushkut, mund të përmblidhet vetëm me nenin 49.7 të rregullores së FBK, që flet për anim josportiv.
“Është neni 49.7 në bazë të cilit është dënuar KB Vëllaznimi, prej Komisionit të Garave. Është dënuar me 400 euro, por nuk është e përcaktuar nga Komisioni i Garave vërshëllima e himnit, sepse nuk parashikohet të vërshëllehet himni as i Kosovës në një ndeshje në Kosovë, por asnjë himn tjetër, kështu që nuk është paraparë nga Komisioni i Garave. Por, konform nenit 49.7 është animi dhe sjellja josportive e shikuesve ndaj policisë, sigurimit, institucioneve, FBK – vetëm ky nen e kapë, sipas Komisionit të Garave. Ky është vendim i Komisionit të Garave. Në Komision Disiplinor shkon vetëm çështja për djegie të flamurit”
Për rastin në fjalë, lajmi.net ka kontaktuar edhe avokatin Asdren Hoxhaj, i cili ka thënë se FBK mund të kishte sanksionuar këto veprime, por nuk mund ta klasifikojnë këtë si vepër penale, pasi përgjegjësia penale duhet të bartet individualisht dhe s’mund të bartet si grup.
“Mendimi im është se vepra penale e tillë nuk manifestohet në formë të tillë. Tifozët në secilin vend të botës veprojnë ashtu. Këto veprime të tyre sanksionohen nga federatat përkatëse sportive ndërkombëtare, me gjoba dhe ndalim të prezencës së tifozëve, etj. Por, vepra penale duhet të jetë individuale ngase përgjegjësia penale është individuale dhe në rrethana të tilla është e pamundur të vërtetohet në masë. Pra nuk ka vepër penale të tillë, në rrethana të tilla”, ka thënë Hoxhaj për lajmi.net.
Gjithsesi, në rast se autoritetet vendosin ta ndjekin këtë dyshim për nxitje të përçarjes dhe mos durimit, atëherë një material-provë mund të jenë video-incizimet nga operatori që ka të drejtat e transmetimit televiziv të ndeshjeve të basketbollit vendor. /Lajmi.net