Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është takuar sot me ministrin e Sportit Blerim Gashanin.
Ata diskutuan për thellimin e bashkëpunimit si dhe e njoftoi për rrugëtimin dhe zhvillimin e Federatës, për organizimin e garave vendore si dhe për punën dhe përfaqësimin e ekipeve tona kombëtare, teksa i shpreha gatishmërinë e plotë të FFK-së për bashkëpunim të vazhdueshëm, duke qenë se përmes futbollit ne përfaqësojmë dhe promovojmë shtetin tonë në arenën ndërkombëtare,, shkruan Ballkani.info.
Postimi i plotë i Agim Ademit:
Sot, së bashku me nënkryetarin Agim Dibrani dhe anëtarin e KE të FFK-së, Samir Ujkani, patëm një takim shumë konstruktiv me ministrin e ri të Sportit, Blerim Gashani.
Në emër të gjithë komunitetit të futbollit, e urova ministrin Gashani për detyrën e re, teksa theksova se është mirë për sportin tonë që në krye të këtij dikasteri tashmë kemi një ish-futbollist dhe një pasionant të madh të futbollit.
Ministrin e njoftova për rrugëtimin dhe zhvillimin e Federatës, për organizimin e garave vendore si dhe për punën dhe përfaqësimin e ekipeve tona kombëtare, teksa i shpreha gatishmërinë e plotë të FFK-së për bashkëpunim të vazhdueshëm, duke qenë se përmes futbollit ne përfaqësojmë dhe promovojmë shtetin tonë në arenën ndërkombëtare.
Ministri shprehu kënaqësinë që na mirëpriti, derisa vlerësoi punën tonë dhe na përgëzoi për performancën dhe sukseset e arritura.
Ai theksoi se për të sporti nuk është vetëm obligim institucional, por edhe një pasion i veçantë. Ai garantoi se bashkëpunimi me Federatën e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë dhe do të forcohet edhe më tej.
Si sfidë kryesore për futbollin tonë ritheksuam se vazhdon të mbetet infrastruktura sportive. Andaj, shprehëm nevojën që Ministria e Sportit të vazhdojë me ritëm të përshpejtuar punën për ndërtimin dhe përfundimin e stadiumeve, të cilat janë jetike për zhvillimin e futbollit dhe për organizimin dinjitoz të ndeshjeve vendore e ndërkombëtare.
Ministri na njoftoi se është duke zhvilluar vizita në stadiumet që janë në ndërtim, e për të cilat konfirmoi se janë prioritet i ministrisë.
Tha se nuk do të tolerohen vonesa të pajustifikuara, pasi përfundimi i këtyre projekteve është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e sportit dhe për krijimin e kushteve më të mira për futbollin në vend.
Gjatë takimit diskutuam edhe për ndeshjet e radhës të Kombëtares së Kosovës në kuadër të ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026, si dhe për rëndësinë e mbështetjes institucionale për organizimin sa më të mirë për këto ndeshje.
