Kreu i Federatës së Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se mbrëmjen e kaluar ka marrë pjesë në një iftar të përbashkët me përfaqësues të FFK-së, “Gjeneratën e Artë” dhe tifozët Dardanët, me ftesë të humanistit Halil Kastrati.
Përmes një postimi, Ademi bëri të ditur se iftari u organizua në Shtëpinë e të Moshuarve dhe në Shtëpinë e Popullit, projekte të Shoqata Jetimat e Ballkanit.
Ai e cilësoi këtë mbrëmje si shumë domethënëse dhe plot emocione, duke falënderuar Halil Kastratin për mikpritjen dhe për fjalimin rreth rrugëtimit të shoqatës.
Ademi theksoi se ndihet krenar që është pjesë e kësaj shoqate dhe vlerësoi punën humanitare të Kastratit, duke theksuar se përmes shoqatës janë bashkuar mbi 300 mijë donatorë shqiptarë, falë të cilëve janë realizuar projekte të mëdha humanitare për njerëzit në nevojë.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për të gjithë donatorët që kontribuojnë në nisma humanitare nën udhëheqjen e Halil Kastratit.
