Presidenti i FFK-së Agim Ademi është optimist për Kampionatin Botëror 2026 dhe këtë e bëri të qartë gjatë intervistës së gjatë për “Televizionin Koha Tetovë”.
Ai tha se ka dëshirë që të gjitha kombëtaret fqinje, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të sigurojnë biletën pranë Kosovës për Botëror.
“Mund të jetë që ndonjëra nga ne (Kosovë, Shqipëri ose Maqedoni e Veriut) të jetë në Botëror, kam dëshirë që të trija. Kemi pasur grup të vështirë, kemi mundur të jemi pa pikë ose që të jemi kampion. Rezultoi që të jemi në vendin e dytë shkaku i humbjes nga Zvicra në udhëtim, përpos asaj ndeshje, ne kemi qenë ekipi ma sensacion. Jam shumë i lumtur që FIFA e UEFA ta vlerësojnë Kosovën si befasi”.
Ai deklaroi se Kosova nuk do t’i frikësohet Sllovakisë, të cilët janë më favorit shkaku se janë vendas.
“Besoj në ekip ndaj Sllovakisë, në gladiatorët që janë në formë të mirë dhe po e dëshmojnë në ekipe. Uroj që të jemi komplet dhe aq sa kanë sllovakët i kemi edhe na, pra 50-50. Nuk i frikësohemi Sllovakisë, por nuk do të thotë që do të fitojmë, duhet ta kemi të qartë se ata janë kombëtare e fortë që dëshiron të jetë në Botëror. Plus janë vendas, është përparësi e lehtë”.
Në fund, Ademi nënvizoi se beson që Kosova do të kualifikohet shkaku i formës së jashtëzakonshme të gjithë lojtarëve.
“Optimist jam gjithë sepse e bazoj në rezultatet dhe kualitetin e ekipit. Lojtarët e Kosovës të cilët nëpër klube, janë ose më të mirët ose titullarë. Muriqi është ndër golashënuesit më të mirë në La Liga, Amir Rrahmani më i miri në Serie A, të tjerët në Turqi janë edhe kapitenë. Në Gjermani, janë në formën më të mirë, Muslija shembull është kryesori. Aro Murici në formën jetësore, njëjtë si Saipi. Këta të Hoffenheimit, falë këtyre Hoffenheimi është në garë për Evropë, ngritja e tyre ka ndodhur, që Fisnik Asllani kërkohet nga të gjitha ekipet e Evropës, shpresoj të vazhdojnë dhe besoj në këtë ekip. E di që do ta japin 100 përqindëshin”.
