Historia e Amir Rrahmanit është një nga ato që lindin nga zemra e një toke komplekse, ku ëndrrat shpesh përplasen me realitetin. I lindur në Kosovë, në mes të një epoke të turbullt, Amiri jetoi fëmijërinë e tij mes hijeve të luftës dhe dritës së shpresës.
“Nuk mbaj mend shumë nga ato vite, por kam vetëm kujtime të mira. Nuk kam menduar për luftën. Fatmirësisht, nuk humba askënd gjatë konfliktit. U ndjeva mirë që isha në gjendje të filloja diçka të re dhe që nuk e kisha bërë kurrë deri atëherë”, – thotë ai, me sytë plot mirënjohje për çdo mundësi që kishte.
Pas përfundimit të konfliktit, kthimi në Kosovë shënoi një pikë kthese në jetën e tij. “Kur u ktheva në Kosovë, babai më shtyu të luaja futboll. Kam filluar të luaj kur isha 8 vjeç, në një shkollë futbolli të quajtur ‘Prishtina’. Aty filloi një rrugëtim që do të më çonte shumë larg, shumë më larg sesa mund ta kishta imagjinuar si fëmijë”, – kujton Amiri.
Rrugëtimi i Rrahmanit në futboll nuk ka qenë i lehtë. I ngritur në një kontekst ku çdo hap ishte sakrificë, ai luftoi të dallohej, duke vënë zemrën në fushë në çdo përballje, në çdo top të goditur. Nga kontrata e tij e parë profesionale deri në momentet më të vështira, ai kurrë nuk ka ndaluar së besuari në diçka më të madhe. Dhe ajo diçka u materializua kur i mbërriti thirrja e kombëtares së Kosovës.
“Isha një nga lojtarët e parë që i thashë ‘po’ kombëtares, kur mori miratimin e FIFA-s dhe UEFA-s pas pesë vitesh ekzistencë. Ishte privilegj për mua, diçka që nuk shpjegohet me fjalë”, – kujton mbrojtësi i Napolit.
Një lidhje e thellë me tokën e tij, një ndjenjë përkatësie që e shtyu të zgjidhte Kosovën, pavarësisht se kishte luajtur më herët me Shqipërinë: “E doja Shqipërinë, por e pranova thirrjen e Kosovës pa u menduar dy herë”.
Sot, Amir Rrahmani është shumë më shumë se futbollist. Është simbol i qëndrueshmërisë, sakrificës dhe triumfit. Në ndeshjen kundër Interit, ai dëshmoi se nuk është vetëm lider i mbrojtjes së Napolit, por edhe lojtari më i mirë në fushë. Çdo ndërhyrje, çdo vendim, është rezultat i viteve të sakrificës dhe asaj grinte të farkëtuar në sfidat e jetës. Historia e tij, njësoj si performanca sportive, është një shembull për të na kujtuar të gjithëve se ëndrrat janë më të forta se çdo pengesë. Për Amirin, gjithsesi ky është vetëm fillimi i diçkaje edhe më të madhe. Karrierën e ka ende përpara…