Andi Zeqiri po luan rrallë e po shënon gola edhe më rrallë. Por sulmuesi 24-vjeçar shpreson të ftohet nga Zvicra për “Euro 2024”.
Zeqiri ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës, ndërsa për përfaqësuesen A i ka 11 ndeshje. Nuk ka gol të shënuar. Së fundi është paraqitur më 21 nëntor të vitit të kaluar, ndaj Rumanisë. Në ndeshjet miqësore të marsit, me Danimarkën e Irlandën, nuk është grumbulluar fare.
Fakti se nuk po luan shumë për Genkun në Belgjikë, nuk shkon në favor të Zeqirit. Por Zvicra ka mungesë të sulmuesve cilësorë, ndërsa përfshirja e Giorgo Continit në shtabin teknik të “helvetikëve” favorizon Zeqirin. Ai e njeh shumë mirë sulmuesin me prejardhje nga Kosova.
“Ne jemi në kontakt që nga koha e përbashkët te Laussane. Kemi kontakt të rregullt. Ai më njeh shumë mirë. Dhe ai e di se ku qëndron forca ime”, ka thënë Zeqiri për “Blick”.
Zeqiri beson se ka çka t’i ofrojë përfaqësueses së Zvicrës. Sipas gazetës së madhe zvicerane, fakti që Zeqiri mund të luajë në qendër të sulmit dhe në krah nuk është disavantazh për të.
Por atë e penalizon fakti që është vetëm zëvendësues te Genku. Vetë Zeqiri thotë se situata e tij nuk është dramatike. Ka theksuar se është lojtar i rregullt dhe se ka munguar në vetëm pesë ndeshje. Sipas tij, liga e Belgjikës është më e mirë se ajo e Zvicrës.
“Dallimi nuk është i madh, por ka shumë klube të mëdha dhe shumë lojtarë të talentuar. Stadiumet janë gjithnjë plot gjatë ndeshjeve të plejofit”, ka thënë Zeqiri.
Ai nuk është pishman që në shtator të vitit të kaluar u transferua te Genku. Karrierën si i rritur e nisi te Lausanne, ndërsa në vitin 2020 u transferua te Brightoni. Te Brightoni anglez nuk u stabilizua dhe kishte periudha huazimi te Augsburgu dhe Baseli.
Zeqiri i ka nëntë ndeshje në Premier League për Brightonin në edicionin 2020/2021. Për Augsburgun në edicionin pasues i shënoi dy gola në 22 paraqitje në Bundesligë. Edicionin 2022/2023 për Baselin në Superligën e Zvicrës i shënoi 11 gola në 30 paraqitje.
Te Genku i ka 23 paraqitje në kampionatin belg, ndërsa ka shënuar gjashtë gola. Gjithsej i ka tetë gola në 30 paraqitje.
Në fundjavë shënoi për fitoren 2:1 ndaj Anderlechtit. U aktivizua në minutën e 73-të, ndërsa shënoi nga pika e bardhë për 2:1 në minutën e 91-të. Ndonëse përballë e kishte portierin e njohur Kasper Schmeichel, Zeqiri gjuajti lehtë në mes të portës, për gol të bukur.
“E kam ditur se do të jetë momenti im. Jam sulmues dhe gjithnjë dëshiroj të shënoj gola”, ka thënë Zeqiri.
Ai nuk ka humbur asnjëherë penallti në futbollin profesionist. As Schmeicheli i njohur nuk ia doli përballë Zeqirit. Kosovarit i duhen gola të tjerë, jo vetëm nga penalltia, për të hyrë fuqishëm në konkurrencë për vend në Evropian.