Anglia ka fituar thellë të dielën në mbrëmje ndaj Irlandës në stadiumin “Wembley” të Londrës dhe e ka siguruar Ligën A të Kombeve. “Tre Luanët” fituan 5:0 në ndeshjen e fundit të Grupit B2. Ishte ndeshja e fundit e selektorit të përkohshëm Lee Carsley në krye të skuadrës. Vendin e tij nga janari do ta zë Thomas Tuchel. Nga minuta e 51-të mysafirët mbetën pa mbrojtësin Liam Scales, që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Anglia e shfrytëzoi epërsinë numerike të lojtarëve dhe shënoi pesë herë. Harry Kane, Anthony Gordon dhe Conor Gallagher shënuan brenda pesë minutash, prej minutës së 53-të.
Jarrod Bowen hyri në lojë në minutën e 75-të, ndërsa me prekjen e tij të parë me topin, 30 sekonda pas inkuadrimit, realizoi për 4:0. Rezultati përfundimtar u vendos në minutën e 79-të kur shënoi Taylor Harwood-Bellis. Anglia avancon në Ligën A me 15 pikë, aq sa ka edhe Greqia në vendin e dytë, që do të luajë në plejof. Irlanda në plejof luan po ashtu, pasi e mbyll këtë kampanjë me gjashtë pikë në vendin e tretë. Finlanda bie në Ligën C pasi në gjashtë ndeshje nuk e grumbulloi asnjë pikë.