Sulmuesi i krahut, Arbnor Muja, ka nisur të shfaqë vlera te skuadra e madhe belge, Antwerp. 24-vjeçari Muja në fund të korrikut u transferua tek Antwperi nga Drita e Gjilanit. Ai tashmë ka shtatë paraqitje në elitën e Belgjikës, ndërsa i ka edhe dy ndeshje për Kupën e Belgjikës. Më 20 dhjetor në një ndeshje për Kupë shënoi një gol dhe asistoi një tjetër në fitoren 4:0 të Antwerpit. Ishte goli i parë i futbollistit mitrovicas për ekipin belg.
Sajti “hln.be” të dielën i ka kushtuar një tekst të gjatë Mujës. Ai ka treguar se si erdhi te transferimi nga Drita tek Antwerpi. Këto dy skuadra ishin takuar në kualifikimet e Ligës së Konferencës dhe Muja kishte rënë në sy.
“Menjëherë e kam parë transferimin në Antwerp si mundësi jetësore. Kur kam shikuar në telefon pas bisedës me delegacionin e Antwerpit, e kam parë që lajmi për transferimin tim tashmë ishte në sajte të ndryshme. Kështu që ndoshta kam qenë i fundit që e kam kuptuar për transferimin”, ka thënë Muja për mediumin belg.
Muja vlerëson faktin që drejtori sportiv i Antwerpit, Marc Overmars, ka kërkuar transferimin e tij. Overmas është prej futbollistëve më të njohur të Holandës, ndërsa është shquar për shpejtësi, njëjtë si Muja.
“Fakti që një emër si Overmars është interesuar për të më transferuar, sjell shumë përgjegjësi me vete. Dua të bëj çdo gjë për të shpaguar besimin e tij. Për fat të keq në ditët e para në Antwerp disi jam frenuar nga lëndimet e vogla. Po ashtu është dashur të përshtatem me ritëm më të lartë. Klubi dhe bashkëlojtarët janë kujdesur shumë për mua, sidomos Laurit Krasniqi. Ai po ashtu ka rrënjë kosovare. Ka ndihmuar edhe fakti që flas mirë anglisht”, ka thënë Muja.
Ai ka folur edhe për familjen. Ka treguar që në Holandë e ka një motër, që e viziton shpesh. Ka treguar po ashtu që ka luajtur së bashku me vëllain, Ardianin. Ka thënë se ishte kënaqësi të luante në një ekip me vëllain. Ardian Muja është kapiten i Trepçës ’89.
Arbnor Muja ka treguar se është i lindur në Gjermani dhe se pas luftës familja e tij është kthyer në Kosovë.
“Ndonjëherë më mungon familja dhe shokët në Mitrovicë. Por jeta në Antwerp është më e mirë. Jam falënderues që jam këtu. Ishte koha e duhur që të bëjë hapin drejt një klubi të huaj. Kur isha 19-vjeçar kam provuar në Braunschweig të Gjermanisë. Por jam kthyer në Kosovë dhe doli të jetë lëvizje e duhur. Tani ndihem plotësisht i gatshëm për hapin që e kam ndërmarrë”, ka theksuar Arbnor Muja.
Ai ka theksuar se Drita i ka tifozët më të mirë në Kosovë. Ka treguar edhe për rivalitetin me Gjilanin dhe se si lojtarët nuk dalin nga shtëpia nëse humbin derbin e qytetit.
“Kur kemi humbur, tifozët kanë reaguar me emocione. Nëse humbni derbin me Gjilanin, ju nuk mund të dilni jashtë për një javë. Duhet të porositni ushqimin në shtëpi. Por nëse fitoni, ju jeni mbreti. Nuk duhet të paguani për kafe në asnjë vend”, ka thënë Muja duke qeshur, që ka folur edhe për tifozët belgë.
“Tifozët e Antwerpit tashmë më kanë bërë pritje të ngrohtë në mediat sociale. Shpresoj se mund ta shfaqë veten më shumë para tyre në fushë, në të ardhmen e afërt”.