Arlind Dakaj është një nga futbollistët e rinj me prejardhje nga Kosova, por që është lindur dhe rritur në Zvicër.
I lindur në Zvicër, Dakaj karrierën e ka ndërtuar në skuadrat zvicerane fillimisht në grupmoshat e FC Zurich e pastaj edhe te Winterthur U21 e tek ekipi i parë i kësaj skuadre.
Dakaj me 19 vite ka bërë debutimin me ekipin e parë të Winterthur dhe dha kontribut të madh në inkuadrimin e kësaj skuadre në elitën e futbollit zviceran.
Por gjërat nuk shkuan mirë këtë vit dhe atij nuk iu dhanë hapësira, që bëri Dakajn të ndryshojë skuadër.
Ditën e djeshme mesfushori i talentuar ka bërë hapin tjetër në karrierë, ku ka vendosur të transferohet në Superligën e Bullgarisë tek skuadra Cherno More Varna.
Në një intervistë për Telegrafin, Dakaj flet për transferimin në Bullgari, karrierën në Zvicër si dhe të ardhmen e tij që e sheh në ndonjë kampionat edhe më të fortë.
“Për mua kjo është hera e parë që largohem nga futbolli zviceran dhe është një aventurë e re që mezi pres të filloj”.
“Te Cherno More më kanë pritur të gjithë mirë, drejtuesit e klubit, por edhe trajneri që kam biseduar me të dhe më ka dhënë besimin që kisha nevojë. Tani kam filluar stërvitjet dhe gjithçka po shkon mirë që jam shumë i kënaqur”, u shpreh Dakaj për Telegrafin.
Ai tregon se si erdhi deri te transferimi në elitën e futbollit bullgar te Cherno More, skuadër që aktualisht zë vendin e shtatë në tabelë me 29 pikë dhe kërkon një vend në Evropë për vitin tjetër.
“Kanë qenë drejtuesit e klubit që më kanë kontaktuar direkt mua, pastaj i kam thënë të bisedojnë me agjentin. Ata më kanë treguar planin që kanë me mua, pasi jam i ri dhe dua të luaj për të bërë një hap para në karrierë”, vazhdoi tutje Dakaj.
21-vjeçari nuk është se kishte shumë njohuri për futbollin bullgar, por pas ofertës konkrete nga Cherno More, filloi të bëj kërkime për vendin, qytetin dhe kampionatin e Bullgarisë.
“Nuk më kishte shkuar në mendje se do të luaja ndonjëherë në Bullgari dhe nuk kisha thuajse fare njohuri për këtë kampionat. Por pas kërkimeve në internet mësova më shumë për vendin, qytetin dhe kampionatin që është shumë i fortë dhe ka ekipe të mëdha”.
Arlindi transferimin te Cherno More e sheh si një trampolinë për karrierën e tij, pasi edhe klubi bullgar njihet si një klub që nxjerr shumë talente dhe shet nëpër klubet më të mëdha.
“Personalisht po e shoh si një hap para në karrierë. Nuk kam luajtur këtë sezon me ekipin e parë të Winterthurit dhe tani jam në Superligëne e Bullgarisë. Shpresoj që të kem shëndet të mirë, të mos pësoj lëndime dhe të luaj sa më shumë pasi besoj që nëse kam paraqitje të mira mund të bëj një hap para në karrierë. Edhe klubi ka këtë plan me mua që në të ardhmen të më shes”, tha Dakaj për Telegrafin.
Synimi i Arlindit është që të luaj në garat evropiane me klubin e tij të ri edicionin e ardhshëm.
“Aktualisht klubi ndodhet në pozitën e shtatë, por vetëm shtatë pikë larg vendit të tretë dhe kemi gjasa që të luajmë edicionin e ardhshëm në Ligën e Konferencës. Sigurisht që ky është objektivi i klubit dhe synojmë ta arrijmë”, u shpreh Dakaj.
Ai tregon edhe për kohën e kaluar te Winterthuri, ku vitin e kaluar pati paraqitje të mira dhe dha kontribut nën urdhrat e trajnerit Alex Frei.
“Frei më ka dhënë besim të madh dhe kam luajtur vitin e kaluar, por pastaj trajneri shkoi te Baseli dhe me ardhjen e trajnerit të ri nuk kam pasur fare hapësira”.
“Kam kaluar kohë të mira vitin e kaluar te Winterthur, por jo edhe këtë vit me trajnerin që nuk më ka dhënë fare rastin tim që të tregoj vlerat që kam. Gjithsesi ajo tani mbetet e kaluar dhe jam i fokusuar te skuadra ime e re”, vazhdoi tutje Dakaj.
Prizrenasi ende nuk ka luajtur për asnjë kombëtare dhe në të ardhmen synon që ta vesh fanellën e Kosovës, fillimisht të grupmoshave U21 e pastaj edhe të A.
“Si çdo futbollist edhe ëndërr e imja është që një dit ta përfaqësojë vendin tim. Mua më mbetet të punoj shumë dhe të kem ndeshje sa më shumë në këmbët e mija, pastaj besoj që mund të kem rastin tim të luaj”.
“Aktualisht jam 21-vjeçar dhe mund të luaj edhe te grupmoshat U21, por në një të ardhme nëse do kem shëndet të mirë dhe luaj rregullisht apo bëj hapin e madh në karrierë, jam i bindur se do të luaj në Përfaqësuesen A të Kosovës”, u shpreh Dakaj.