Është një masë e standardeve të vendosura nga Arsenali këtë sezon që barazimi 2:2 me Liverpoolin në “Anfield Road” javën e kaluar u ndje më shumë si një humbje. Lideri i Premier Leagues kishte kaluar në epërsi 2:0 pas vetëm 28 minutash dhe dukej se ishte në rrugën e duhur për t’u forcuar në krye të tabelës me tetë pikë epërsi.
Por një pikë e fituar në Liverpool ishte akoma më e mirë se çdo skuadër tjetër në top-katërshe që ka arritur këtë sezon, me Manchester Cityn, Newcastlen dhe Manchester Unitedin të mposhtur atje këtë sezon. Ishte mënyra në të cilën Arsenali dorëzoi fitoren që ndihej kaq e kushtueshme, me Roberto Firminon që shënoi golin e barazimit në minutën e 87-të, duke e bërë edhe më të hapur garën për titull dhe potencialisht i dha avantazhin Cityt të vendit të dytë.
City mund të shkurtojë epërsinë e Arsenalit në tri pikë kur kampioni në fuqi të luajë kundër Leicesterit të shtunën. Dhe, me dy të parët që do të përballen me njëri-tjetrin në “Etihad Stadium” më 26 prill, City mund të marrë kontrollin e betejës për t’u kurorëzuar kampion. Ndërsa e njëjta gjë mund të thuhet për Arsenalin, ndonëse klubi londinez ka humbur në shtatë vizitat e tij të fundit në City, duke përfshirë një disfatë 5:0 sezonin e kaluar që grumbulloi presionin mbi trajnerin Mikel Arteta. Arsenali mbajti besimin në spanjollin dhe kjo është shpërblyer me një sezon të jashtëzakonshëm që ka bërë “Topçinjtë” të synojnë titullin e kampionit për herë të parë pas 19 vjetësh.
Megjithatë, pas rezultatit në Anfield, City duket të jetë skuadra me vrull, me fitoren 3:0 të së martës kundër Bayern Munich në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke vazhduar serinë e formës së mirë. Skuadra e Pep Guardiolas ka fituar nëntë ndeshje radhazi në të gjitha garat dhe mbetet në garë për tripletë këtë sezon. Erling Haaland ka shënuar tashmë 45 gola, ndërsa City ka arritur një seri fitoresh të theksuara në javët e fundit. Është një ecuri që e ka lënë Arsenalin me pak hapësirë për gabime, dhe kjo është arsyeja pse barazimi kundër Liverpoolit mund të rezultojë kaq i dëmshëm.
Skuadra e Artetas vështirë se ka gabuar duke udhëhequr rrugën për pjesën më të madhe të sezonit. Arsenali fitoi nëntë nga 10 ndeshjet e para të kampionatit. Ai iu përgjigj humbjes së shkurtit në shtëpi ndaj Cityt duke fituar shtatë të radhës në ligë. Ajo ecuri përfundoi në Anfield dhe papritmas epërsia duket e brishtë përpara derbit të Londrës të së dielës në West Ham. Do të ndihej mizore nëse këto dy pikë të humbura do të ishin vendimtare, duke pasur parasysh qëndrueshmërinë që Arsenali ka prodhuar këtë sezon. Por këto janë standardet që kërkohen kur duhet të përballeni me një makinë fituese të trofeve si City.
Vitet e fundit ka qenë Liverpooli ai që ka llogaritur koston e përpjekjes për të konkurruar me Cityn në krye. Gjatë katër sezoneve të fundit, City grumbulloi gjithsej 358 pikë, ndërsa Liverpool 357. Megjithatë, City fitoi tre tituj ndaj një të Liverpoolit në atë kohë. Skuadra e Juergen Kloppit vështirë se mund të kishte bërë më shumë për të sfiduar epërsinë e Cityt dhe mbeti ende pas Guardiolas në tri nga katër vjet. Duke iu afruar fazave të fundit të sezonit, ka një lidhje me formën e Cityt. Do të ishte tronditje e madhe nëse Leicesteri që ka humbur tetë nga nëntë të fundit mund të ndalojë kampionin – edhe pas emërimit të trajnerit Dean Smith këtë javë deri në fund të sezonit. Arsenali mund të bëjë vetëm atë që ka bërë gjatë gjithë sezonit, gjë që ka ngatërruar pritshmëritë. Një kolaps i parashikuar nuk ka ardhur – edhe pasi u rrëzua përkohësisht nga vendi i parë me humbjen 3:1 në shtëpi ndaj Cityt në shkurt. Sfida e tij për titull ka dalë jashtë mase pas vitesh dështimi për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, e lëre më të kërkojë kryesimin e tabelës. Për 28 minuta në Anfield, Arsenali prodhoi një paraqitje që mund ta ketë bërë Cityn të pyeste nëse skuadra e Artetas mund të ndalohej. Mënyra se si Arsenali reagon ndaj pengesës që pasoi, mund të jetë kritike në përcaktimin e kampionit të ardhshëm të Premier Leagues.