Trajneri Mikel Arteta ka kritikuar ashpër raportet se ai ishte gati të largohej nga Arsenali për t’u bërë trajner i Barcelonës duke i quajtur ato si “lajme të rreme”.
Raportet në Spanjë të dielën pretenduan se Arteta u kishte thënë kolegëve se do të largohej nga “Emirates Stadium” për t’u kthyer në Barcelonë në fund të këtij edicioni. Trajneri aktual i Barcelonës, Xavi Hernandez, njoftoi të shtunën se do të largohej gjatë verës, pas një serie rezultatesh zhgënjyese, duke bërë që Arteta të paraqitet si një nga favoritët për ta zëvendësuar atë.
Pasi ka kaluar nëpër akademinë e Barcelonës, Arteta ka një lidhje të gjatë me stadiumin “Camp Nou”. Por 41-vjeçari të hënën këmbënguli se ai dëshiron të qëndrojë në krye të Arsenalit dhe është i vendosur të udhëheqë klubin londinez drejt titullit të parë në Premier League që nga viti 2004.
“Unë jam në vendin e duhur. Jam me njerëzit e duhur. Ndihem shumë mirë për këtë. Dhe, siç e kam thënë shumë herë, jam në një rrugëtim të bukur me këtë klub futbolli, me këta lojtarë dhe me këtë staf”, tha Arteta në konferencën për shtyp.
“Ka ende shumë punë për të bërë këtu. Ne të gjithë e ndajmë atë ambicie dhe ju mund ta ndieni atë gjithashtu, pra e duam titullin e kampionit. Unë jam në klubin që duhet të jem dhe nuk do të largohem nga këtu pasi kam shumë punë për të bërë”.
Duke i hedhur poshtë raportet rreth Barçës si plotësisht të sajuara, Arteta pranoi se ishte mërzitur nga këto lajme ndërsa përgatitej për ndeshjen e së martës në Premier League, në udhëtim kundër Nottingham Forestit.
“Ky është një lajm krejtësisht i rremë. Nuk e di nga vjen dhe është krejtësisht i pavërtetë. Jam shumë i mërzitur për këtë”, tha ai. “Nuk mund ta besoja, nuk e di nga vjen dhe nuk ka asnjë burim. E kuptoj që jemi në këtë industri, por nuk mendoj se dikush meriton të dëgjojë lajme të tilla. Unë kam qenë gjithmonë i drejtë dhe gjithmonë kam thënë sa i lumtur jam dhe sa shumë kënaqem këtu ku jam tani”.
Pas ndeshjes në udhëtim ndaj Nottinghamit, Arsenali pret liderin e Premier Leagues, Liverpoolin, në stadiumin “Emirates” të dielën për një përballje vendimtare. Kjo ndeshje e sjell Artetan ballë për ballë me trajnerin e Liverpoolit, Juergen Klopp, për herë të fundit në detyrat e tyre aktuale, pasi gjermani njoftoi në mënyrë mahnitëse të premten se do të largohet nga “Anfield Road” në fund të edicionit.
Klopp tha se ai kurrë nuk mund të drejtojë një klub tjetër në Angli, ndërsa Arteta, që ka shërbyer si asistent i Pep Guardiolas në Manchester City, nuk e përjashtoi një ndryshim të tillë në të ardhmen.
I pyetur nëse mund ta shihte veten duke menaxhuar një ekip tjetër në Premier League, ai u përgjigj: “Sot jo, por nuk e di në të ardhmen”.
Ai ndihet krenar edhe për karrierën si futbollist, pasi për një periudhë të mirë ka luajtur në Angli.
“Kam luajtur për dy klube të mëdha në këtë vend, Arsenalin dhe Evertonin. Jam i ri dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Arteta. “Unë mendoj se Klopp e bëri këtë ligë shumë më të mirë. Karakteri, karizma, idetë dhe pasioni i tij për lojën është diçka e veçantë. Mendoj se ai ka pasur një kontribut të madh për rritjen e kësaj lige”.