Kylian Mbappe do të takohet sërish me shokun e tij të mirë, Achraf Hakim, në Kupë të Botës.
Por jo si herën e parë në Katar javën e kaluar, kur ylli francez i shkoi për vizitë bashkëlojtarit të tij te Paris Saint-Germaini, në hotelin e Marokut në Doha.
Të mërkurën, Mbappe do të mbulohet nga Hakimi në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Rruga e Mbappes drejt portës së mbrojtur mirë nga marokenët do të tentohet të bllokohet nga mbrojtësi i krahut të cilin francezi e vlerëson lartë.
“ACHRAF HAKIMI. MBROJTËSI MË I MIRË NË BOTË I KRAHUT TË DJATHTË”, kishte shkruar Mbappe në gjuhën angleze në llogarinë e tij në Twitter në muajin janar, duke iu referuar pozitës të cilën Hakimi e mbulon te skuadra dhe përfaqësuesja e tij.
Është një duel i nivelit të lartë, kur të dyja përfaqësueset i afrohen fundit të Botërorit. Kalimi në finale do të ishte historik për secilën skuadër.
Mbappe kundër Hakimit – golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola në pesë ndeshje, kundër talentit të jashtëzakonshëm të ekipit me mbrojtjen më të mirë që ka pësuar vetëm një gol dhe atë autogol.
Ishte fillimi i një shoqërie të bukur kur futbollisti maroken iu bashkua Mbappes te PSG-ja në korrik të vitit 2021 nga Interi, për transferimin që u raportua se është 60 milionë euro.
Dy djem të rinj që u lindën me vetëm pak javë dallim në vitin 1998 – vetëm pak muaj pasi Franca e fitoi Kupën e Botës për herë të parë – shpejtë u bënë bashkë.
Hakimi ka folur se si i kanë ndarë të njëjtat shije të muzikës dhe videolojërat dhe se si Mbappe e ka ndihmuar shokun që u lind në Madrid ta mësonte gjuhën frënge.
Hakimi është mysliman i devotshëm dhe për Bajram këtë vit ata u bënë bashkë për një video të publikuar nga klubi parisien.
Hakimi e udhëzoi Mbappen, familjet e të cilëve kanë lidhje me shtetin afrikano-verior, Algjerinë, të provojë ushqim nga rajoni arab.
Në fushë, për kampionin francez, ata kanë seri të gjatë të shtrëngimit të duarve dhe festimit të golave. Si pjesë e PSG-së ata kanë shumë mundësi.
“Është lehtë të luash me një lojtar si ai”, ka thënë Hakimi për Mbappen. “T’ia japësh topin atij, duke e ditur se ai mund ta bëj dallimin”.
Mbappe ka bërë dallimin në këtë Kupë të Botës, sidomos kur shënoi në fitoret kundër Danimarkës në fazën grupore dhe kundër Polonisë në 1/8 e finales.
Në çerekfinale të shtunën, Mbappe u mbajt nën kontroll për aq sa ishte e mundur nga këmbëshpejti i krahut të djathtë i Anglisë, Kyle Walker. Ai e pati vetëm një pozitë të pastër për gjuajtje, por topi shkoi jashtë portës.
Sidoqoftë, ai ishte i përfshirë në golin e epërsisë së Francës që fitoi 2:1. Po ashtu e fitoi goditjen nga këndi, nga e cila më pas u krijua aksioni dhe u shënua goli i fitores.
Mbrojtja e Marokut ka qëndruar si forcë e palëvizshme dhe të gjithë kundërshtarët evropianë deri tani – Kroacia, Belgjika, Spanja dhe Portugalia – kanë dështuar të shënojnë në kohë të rregullt dhe në vazhdime.
Hakimi ka ndihmuar t’i ndalë kundërshtarët e Marokut në vetëm 10 tentime në kornizën e portës në total, sipas statistikave të FIFA-s. Kanadaja arriti të shënonte gol, falë autogolit të Nayef Aguerdit, në fitoren 2:1 të Marokut.
Mbappe i vetëm ka dhjetë gjuajtje në kornizën e portës për Francën që ka shënuar 11 gola në total, më së shumti nga gjysmëfinalistët.
Në stadiumin “Al Khor” të mërkurën, Mbappe do të vazhdojë të kërkojë të qëndrojë përkrah Peles, për t’u bërë futbollisti më i ri që fiton dy trofe të Kupës së Botës.
Franca mund të bëhet përfaqësuesja e parë që e mbron trofeun e Kupës së Botës, që prej Brazilit të Peles në vitin 1962.
Hakimi dëshiron të hyjë në histori si një prej lojtarëve të parëve afrikanë që arrijnë në finale të Kupës së Botës. Kushdo që fiton do të luajë kundër Kroacisë apo Argjentinës, ylli i së cilës skuadër, Lionel Messi, luan po ashtu për skuadrën e PSG-së, që ka pronarë nga Katari.
Le të fitojë shoku më i mirë.