Ballkani kishte epërsi për kohë të gjatë në ndeshjen ndaj Bohemianit. Por pranoi dy gola në fundin e ndeshjes dhe u mposht 2:1 në Dublin të Irlandës.
Ndeshja e zhvilluar të mërkurën mbrëma ishte e para e rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Suharekasit ishin pranë fitores dhe rezultatit shumë pozitiv për ndeshjen kthyese në Prishtinë. Por, goli i Toni Domgjonit nga penalltia në pjesën e parë, nuk i mjaftoi. Ish-reprezentuesi i Kosovës shënoi për tri herë kampionin e Kosovës në minutën e 29-të.
Vendësit u kthyen fuqishëm në pjesën e dytë. Barazuan rezultatin fillimisht me Douglas James-Taylorin në minutën e 76-të, ndërsa iu gëzuan fitores një minutë para fundit kur shënoi Ross Tierney.
Ballkani megjithatë ende ka shpresa për të avancuar në rrethin tjetër të garës. Të enjten e ardhshme luan para tifozëve të vet në ndeshjen kthyese që nis në orën 20:00.
Ballkani në kupat evropiane luan prej edicionit 2022/23.
Dy herë rresht luajti në fazën grupore të Ligës së Konferencës, në edicionet 2022/23 dhe 2023/24.
