Facebook
    GazetaSport
    • Futboll vendor
    • Futboll ndërkombëtar
    • Sporte tjera
    • ShowSport
    • Fun
    Facebook
    GazetaSport
    Bayerni po e vajton humbjen e Beckenbauerit, njeriut që e bëri klubin të madh
    Ballina-1

    Bayerni po e vajton humbjen e Beckenbauerit, njeriut që e bëri klubin të madh

    10/01/2024 22:16
    Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

    “Perandori ka vdekur, rroftë perandori”. Bayern Munichu është në zi për vdekjen e “Der Kaiser”, Franz Beckenbauerit, në moshën 78-vjeçare, futbollistit të madh që e udhëhoqi skuadrën në epokën e artë dhe padyshim që bëri më shumë se kushdo për ta shndërruar Bayernin në klubin që është sot.

    “Pa Franz Beckenbauerin, FC Bayerni nuk do të ishte kurrë ky klub që është sot”, tha ish-bashkëlojtari i tij dhe më vonë shefi ekzekutiv i klubit, Karl-Heinz Rummenigge.

    “Beckenbaueri e ka formësuar futbollin gjerman si askush tjetër”.

    Lajmi për vdekjen e tij është pritur me trishtim në të gjithë Gjermaninë. Familja e tij të hënën konfirmoi se Beckenbauer ka vdekur, ndërsa ballinat e gazetave gjermane ishin të pushtuara me titujt: “Perandori ynë ka vdekur”.

    Si lojtar elegant, trajner i suksesshëm dhe president i dalluar, Beckenbauer përgjatë dekadave e ndihmoi shndërrimin e një klubi modest dhe nën hijen e Munich 1860 në një superfuqi globale, larg klubin më të suksesshëm në Gjermani.

    Dhe e gjitha kjo filloi me një shuplakë. I lindur në lagjen e klasës punëtore të Munihut, Giesing, Beckenbaueri i talentuar pritej t’i bashkohej Munich 1860, ekipit që e ka përkrahur si fëmijë pasi luajti në një turne të rinjve për ekipin SC Munich 1906. Në finalen e turneut, ekipi i Beckenbauerit do të luante me ekipin e të rinjve të Munich 1860. Ai pati një mosmarrëveshje me njërin prej kundërshtarëve në fushë, i cili e goditi me shuplakë në fytyrë derisa arbitri nuk ishte duke shikuar. I zemëruar, Beckenbaueri i ri mori vendim për ta injoruar Munich 1860 dhe t’i bashkohet sistemit të rinjve të Bayern Munichut. Ndodhi kjo në vitin 1959. Beckenbauer u “gradua” në ekipin e parë në vitin 1964 dhe ndihmoi në promovimin e Bayernit në Bundesligë në vitin pasues. I ndihmuar nga bashkëlojtarët Gerd Mueller e Sepp Maier, Beckenbaueri e udhëhoqi Bayernin drejt vendit të tretë në edicionin e parë në elitë, ndërsa në vitin 1969 e fitoi titullin e parë prej 32 titujve të klubit në Gjermani. Si kapiten, ai fitoi katër tituj me Bayernin, tri kupa evropiane radhazi, katër kupa të Gjermanisë dhe Kupën Interkontinentale. Po ashtu udhëhoqi Gjermaninë Perëndimore drejt titullit të botës në vitin 1974, dy vjet pas triumfit në Evropian. Beckenbauer e fitoi dy herë “Topin e Artë”.

    Të gjitha këto arritje, Beckenbauer i bëri me elegancë, stil dhe hijeshi. Realizoi 55 gola në 539 ndeshje për Bayernin, një shifër e jashtëzakonshme për një mbrojtës. Si trajner e udhëhoqi skuadrën drejt titullit të Bundesligës (1994) dhe pastaj drejt triumfit në Kupën e UEFA-s (1996), në të dyja rastet duke e marrë ekipin vonë. Skuadra kthehej tek ai sa herë kishte nevojë. Paraprakisht, Beckenbauer kishte fituar titullin e botës me Gjermaninë Perëndimore në vitin 1990 si selektor.

    Më vonë ai shërbeu si president i Bayernit dhe përsëri luajti një rol jetik në drejtimin e klubit drejt suksesit.

    “Ai është dhe mbetet personaliteti më i madh që Bayerni e ka pasur ndonjëherë. Askush nuk do të mund të matet më të, kurrë. Beckenbaueri ishte unik, një dhuratë për të gjithë ne, veçanërisht për Bayernin”, insistoi Uli Hoeness, president nderi i Bayernit.

    Beckenbauer vdiq të dielën, ndërsa libri i ngushëllimeve është hapur të mërkurën. Bayerni planifikon të ndriçoj stadiumin me fjalët “Faleminderit Franz” të premten në ndeshjen kampionale kundër Hoffenheimit.

    “Ti gjithmonë ke qenë një fener, tani do të shkëlqesh nga lartë”, shkroi ish-bashkëlojtari i tij, Sepp Meier në librin e ngushëllimeve. “Futbollit gjerman, por edhe mua, do të na mungosh me të vërtetë. Lamtumirë, miku im!”.

    TË LIDHURA

    Drita synon të shndrisë sonte në Rumani

    07/08/2025 10:27

    Sezoni i ri, Xherdan Shaqiri ‘i vjetër’ – shpërthen me gola dhe ia siguron Baselit tri pikë

    06/08/2025 23:16

    “Jam nga Zvicra dhe flas shqip”, intervista 20 sekondëshe e Ardon Jasharit

    06/08/2025 21:50

    Becali më nuk jep deklarata të forta, flet për përballjen me Dritën: Nuk them më se ka skuadër të dobët

    06/08/2025 20:47
    IMPRESSUM

    Your source for the sport

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.