Futbollisti anglez, Jude Bellingham, nuk ka ndërmend të largohet nga Madridi as në afat të
shkurtër, as në të mesëm. Kjo mund të thuhet me siguri, jo vetëm për shkak të
performancës së tij të shkëlqyer në fushë, që e ka kthyer në një nga lojtarët më të mirë të
ekipit të bardhë, që tashmë drejtohet nga Xabi Alonso, por edhe për blerjen më të fundit në
kryeqytetin spanjoll.
Anglezi sapo ka shpenzuar një shumë shumë të madhe parash për blerjen e fundit. Në fakt,
nuk e ka investuar gjithçka në një pronë të vetme, por ka blerë dy vila të vendosura në një
nga rezidencat më ekskluzive të kryeqytetit spanjoll.

Vetëm 21 vjeç dhe me një karrierë të tërë përpara, ish-lojtari i Borussia Dortmundit jo vetëm
që ka futur këmbën, por gjithë trupin në sektorin imobiliar. Në mënyrë të veçantë,
Bellingham ka blerë dy vila luksoze në “La Moraleja”, një nga zonat më të shtrenjta të një
prej lagjeve më luksoze të Madridit, me çmim prej 16 milionë euro secila, gjithsej 32 milionë
euro.
Banesat ndodhen shumë afër “Real Club de Golf” dhe, sipas “Vanitatis”, njëra do të shërbejë
si shtëpi për futbollistin, ndërsa tjetra për nënën e tij, Denise. Të dyja vilat kanë pamje
ultramoderne dhe dallohen për dritaret gjigante që hapen drejt kopshtit e pishinës.
Sa i përket hapësirës, lojtari i Real Madridit do ta ketë me bollëk. Secila vilë ka 1.000 metra
katrorë të ndërtuar dhe 3.000 metra katrorë truall. Çdo vilë ka 7 dhoma gjumi dhe 7 banjo, si dhe garazh me 4 vende parkimi.
Siç pritej nga një investim i tillë, përfshihen gjithashtu pishina të brendshme dhe të jashtme,
sauna, palestër, bodrum vere dhe kinema private. Madje, vilat janë të pajisura edhe me
ashensorë.

Të dyja pronat janë pjesë e një projekti të ideuar nga studiot e njohura të arkitekturës, “The
Trilogy”, që përfshin tre vila në total. Secila prej tyre ka edhe emrin e vet: Villa Lavan, Villa
Lago dhe Villa 18. Bellingham ka blerë vetëm dy prej tyre.
Kështu, familja e tij do të ndahet (edhe pse vetëm disa metra larg njëri-tjetrit), pas
bashkëjetesës që prej mbërritjes së mesfushorit te Real Madridi, në një shtëpi në Valdemarín.
Ndërtimi i vilave është ende në proces dhe po monitorohet nga afër prej nënës së tij, e cila
po merret personalisht me mbikëqyrjen e punimeve.
Aktualisht, Bellingham fiton 20.83 milionë euro në sezon te Real Madridi, duke u pozicionuar
në nivelin e tretë të pagave së bashku me Vinicius, pas vetëm David Alaba (22.5 milionë
euro) dhe Kylian Mbappé (31.25 milionë euro).