Shumë lojtarë nga Dinamo e Zagrebit transferohen në skuadra të top-pesë ligave evropiane të futbollit. Një lëvizje të tillë e planifikonte edhe Fatos Beqiraj, tani drejtor sportiv i Deçiqit të Tuzit.
Beqiraj e kishte nisur karrierën në Pejë, ndërsa në vitin 2008 kishte kaluar te Buduqnosti i Podgoricës. Prej Buduqnostit bëri hapin e madh në vitin 2010, duke kaluar te gjiganti kroat, Dinamo Zagreb. Te Dinamo kishte karrierë pozitive, por jo transferim të mirë. Në vend se në ligë të fortë evropiane, kaloi te Changchun Yatai në Kinë. Dhe karriera e sulmuesit të fuqishëm më asnjëherë nuk u kthye në rrugën e duhur.
Më pas luajti për Dinamo Minskun në Bjellorusi, Dinamo Moskën në Rusi, Mechelenin në Belgjikë, Maccabi Neanyan në Izrael dhe në disa liga të tjera “të vogla”.
Beqiraj për kohë të gjatë ishte reprezentues i Malit të Zi. Në 86 ndeshje i realizoi 15 gola. Vetëm Stevan Jovetiq ka më shumë ndeshje me Malin e Zi se Beqiraj, një më shumë.
“Me Dinamon kam fituar çdo gjë që mund të fitohet, pos që nuk kam realizuar transferim në ligat e pesëshes, që atëherë ishte reale. Por ndodhën disa gjëra dhe ndoshta nuk ishte e shkruar që të shkoja. Ndoshta më ishte caktuar rruga që e bëra”, ka thënë Beqiraj në një intervistë të gjatë për “mozzartsport”.
Nga Dinamo tek ekipi i vogël kinez. Ky nuk ishte ndonjë hap i rëndësishëm për Beqirajn, që në vitin 2014, kur ndodhi lëvizja, ishte në kulm të karrierës.
“Asnjëherë nuk kam menduar të transferohem në Kinë, nuk ishte e lehtë të merret ai vendim. Agjenti im gjeti diçka, por në Dinamo kanë dashur më shumë para që edhe ata të fitojnë. Nuk arrita marrëveshje me dy klube të top-pesë ligave të forta. Erdhën kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe dy muaj vetëm kam ushtruar derisa nuk u largua trajneri Kruno Jurçiq. Zoran Mamiq erdhi si trajner dhe u ktheva në plane. Kam luajtur sërish, kam shënuar gola, ndërsa në dimër erdhi oferta zyrtare në klub nga Kina. Njerëzit në Dinamo më thanë që nuk duhet të shkoj në Kinë, që duhet të qëndroj dhe të nënshkruaj kontratë të re për tri vjet. U thash se është në rregull. Kthehem në Zagreb, fillon kampionati dhe luajta ndaj Rijekës. Më thërrasin sërish nga klubi dhe më thonë se kanë arritur marrëveshje dhe më pyetën nëse doja të shkoja ta provoja. Mendova që nëse nuk më japin kontratë të re, atëherë duhet të shkoj. Kështu edhe ndodhi. As për së afërmi nuk kanë mundur të më ofrojnë kushte financiare si kinezët, u arrit marrëveshja dhe më thanë se nuk do të më pengojnë. Kam dashur ta provoj. Kam shkuar për një stinor, pasi isha i ri dhe nuk më rrihej atje”, ka treguar Beqiraj.
Ai vendosi që të marr pagë shumë më të ulët dhe të kthehet në Evropë nga Kina. Në mesin e shumë ofertave vendosi për atë nga Bjellorusia. Në Bjellorusi luajti mirë e më pas u transferua në Rusi.
“Kam luajtur për tri ekipe me emrin Dinamo. Ndoshta ishte e shkruar kështu”, thotë Beqiraj.
Si njërën prej momenteve më të rëndësishme në karrierë e vlerëson golin që e shënoi ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu”. Dinamo humbi 6:2 në fazën grupore të Championsit, por Beqiraj iu gëzua shumë golit.
“Ia dola të luaj në Ligën e Kampionëve, garën më të fortë të klubeve. Kur e dëgjon himnin e Ligës së Kampionëve është ndjenjë e veçantë. Për këtë kam ëndërruar, e po ashtu kam shënuar gol ndaj Realit në ‘Bernabeu’. Këtë do ta mbaj në mend gjithë jetën. Nuk ia dalin shumë lojtarë ta bëjnë këtë”, ka thënë Beqiraj.
Ai mbetet njëri prej futbollistëve më të respektuar në Mal të Zi, vend në të cilin kaloi në moshë shumë të re nga Peja. Thotë se të gjitha i ka arritur me punë dhe angazhim maksimal.