Një deklaratë e kishte lëshuar më 17 gusht të vitit të kaluar e një tjetër e lëshoi të hënën. Dikur klubi i madh pejan i futbollit, Besa, po jep sërish shenja jete.
Besa e Pejës aktualisht luan në nivelin më të ulët të futbollit kosovar, në Ligën e Dytë, përkatësisht kategorinë e tretë. Për më tepër, Besa është e fundit në tabelë me vetëm katër pikë nga 15 ndeshje. Besa në vjeshtë ka luajtur me juniorë dhe ka pësuar humbje turpëruese, marrë për bazë namin që ka në futbollin kosovar.
Por pranvera pritet të jetë më e mirë për klubin ikonë të Pejës. Kështu të paktën paralajmërohet në komunikatë. Ndonëse e fundit në Ligën e Dytë, Besa në komunikatë ka përmendur kthimin në Superligë.
“Duke ditur situatën e rëndë të klubit tonë, me angazhimin e disa njerëzve të vullnetit të mirë, është arritur që të mbijetohet pa u shuar klubi në sezonin e parë. Gjatë pauzës dimërore është punuar gjatë gjithë kohës për organizimin dhe mobilizimin e klubit për sezonin pranveror. Kështu, me ndihmën e njerëzve të vullnetit të mirë, qytetarë nga Peja në diasporë, Kuvendit Komunal, kemi përgatitur një plan-program për afrimin e bizneseve të qytetit tonë që të ndihmojnë klubin për të mbijetuar dhe për të vazhduar tutje duke u kthyer aty ku e kishte vendin gjithmonë, në Superligën e Kosovës”, shkruan në komunikatën e Besës.
Tutje shkruan se Besa është prej klubeve më të mëdha në Kosovë.
“Falë këtyre përpjekjeve, FC Besa ka dhënë shenjat e para në organizim dhe sot ka filluar fazën përgatitore për sezonin e ardhshëm”, shkruan në njoftim.
Ndryshime të tjera janë paralajmëruar për ditët e ardhshme.
Besa ka kohë që përballet me krizë të thellë financiare e organizative. Në vjeshtë e kishte vetëm emrin e madh, ndërsa ishte skuadër amatore me lojtarë të rinj.
Kishte humbur shumë ndeshje nga 6:0, 7:0, madje nga skuadra që vetëm ëndërr e kanë nivelin që dikur e kishte Besa e Pejës.
Besa ka fituar titullin e kampionit në vitin 2005, 2006 e 2007. Kupën e Kosovës e ka fituar në vitet 2006, 2011 dhe 2017. Por ajo periudhë e lavdishme e Besës duket shumë e largët.