Leonardo Bonucci ka konfirmuar se ai është duke ndërmarrë veprime ligjore kundër Juventusit, duke pretenduar se klubi nga Serie A nuk e ka thënë të vërtetën në lidhje me trajtimin ndaj tij pasi ai nuk u përfshi në ekip dhe u shit përfundimisht gjatë verës. Mbrojtësi veteran Bonucci, i cili ka fituar një mori trofesh me klubin dhe Italinë gjatë karrierës së tij të gjatë, u la mënjanë nga Juve në fazën parasezonale, duke humbur turneun e korrikut në SHBA dhe duke u stërvitur larg ekipit të parë. Dhe, 36-vjeçari tha se tashmë ka marrë “vendimin e vështirë” për të paditur klubin për të cilin ai luajti mbi 500 herë dhe fitoi tetë tituj kampioni për atë që ai e konsideron trajtim “poshtërues”.
“Është një vendim që ka marrë një kohë të gjatë dhe është për faktin se kam lexuar dhe dëgjuar shumë gjëra që nuk janë të vërteta”, tha Bonucci në një intervistë për Mediaset të enjten.
Bonucci, i cili nënshkroi për Union Berlin muajin e kaluar, pretendon se atij iu tha vetëm në mes të muajit korrik se ai nuk ishte më në planet e Juventusit.
“Unë nuk kam pasur asnjë diskutim me klubin në atë datë, as me trajnerin Massimiliano Allegri, i cili më thirri në zyrën e tij në fund të marsit dhe më tha në mënyrën e tij se duhet të largohesha në fund të qershorit, pasi doja të bëhesha trajner, kështu që duhej t’i shpejtoja gjërat”, shtoi Bonucci. “I thashë se e respektoja vendimin e tij, porse kisha ndërmend të luaja të paktën deri në fund të Kampionatit Evropian vitin e ardhshëm”.
Bonucci pretendon se atij iu tha më pas nga klubi pas ndeshjes së fundit në shtëpi të edicionit të kaluar se ai do të ishte zgjedhja e pestë ose e gjashtë për edicionin e ri dhe thotë se përgjigjja e tij ishte “nuk ka problem”. Ai thotë se më pas nuk dëgjoi asgjë nga klubi derisa iu bë një vizitë në shtëpi nga drejtorët sportivë Giovanni Manna dhe Cristiano Giuntoli, të cilët i thanë atij se “prania e tij në zhveshtore po e pengonte Juventusin”.
“Unë thjesht po kërkoj të drejtat e mia të parashikuara në marrëveshjen kolektive, e cila thotë se lojtarët duhet të vihen në gjendje të stërviten me ekipin, pavarësisht nga çdo vendim përzgjedhjeje, dhe të kenë të drejtën e përgatitjes fizike për sezonin e ardhshëm”, tha Bonucci. “Nuk më është dhënë mundësia të dal në fushën e stërvitjes me shokët e mi, të marr pjesë në ndeshjet stërvitore. U ndjeva i poshtëruar, pasi nuk isha në gjendje të bëja atë që më pëlqen më së shumti dhe kjo është të luaj futboll”.
Bonucci, i cili thotë se do të dhurojë çdo të ardhur nga veprimi i tij ligjor për bamirësi, gjithashtu u la jashtë Përfaqësueses së Italisë nga Luciano Spalletti këtë muaj, duke humbur shiritin e kapitenit. Ai ishte kapiteni i Italisë nën drejtimin e ish-sekektorit Roberto Mancini pas pensionimit të Giorgio Chiellinit vitin e kaluar dhe u bë hero kombëtar në vitin 2021 si pjesë kyç e ekipit që fitoi Evropianin e fundit. Muajin e kaluar Juve mohoi pretendimet e kreut të sindikatës së lojtarëve, Umberto Calcagno, se “dinjiteti i Bonuccit po shkelet”. Juve mbrojti “legjitimitetin e veprimeve të saj ndaj të gjithë lojtarëve të regjistruar, të cilëve u njihen dhe u garantohen plotësisht të gjitha të drejtat”, të rëna dakord në marrëveshjen kolektive të futbollit.