Facebook
    GazetaSport
    • Futboll vendor
    • Futboll ndërkombëtar
    • Sporte tjera
    • ShowSport
    • Fun
    Facebook
    GazetaSport
    Broja kërkon ta shfrytëzojë rastin te Chelsea
    Ballina-1

    Broja kërkon ta shfrytëzojë rastin te Chelsea

    05/01/2024 19:06
    Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

    Kjo është mundësi që Armando Broja e ka pritur. Mundësi të cilën ai e di se duhet ta shfrytëzojë. 

    Këtë javë Nicolas Jackson i është bashkuar përfaqësueses së Senegalit në përgatitje për kampanjën në Kupën e Afrikës. Nëse Senegali shkon në finalen e 11 shkurtit, ashtu siç shpreson, dhe Chelsea e mposht Preston North Endin të shtunën në raundin e tretë të Kupës FA, sulmuesi mund t’i humbë deri në tetë ndeshje me Chelsean. 

    Në mungesë të senegalezit, Broja 22-vjeçar, mbetet i vetmi qendërsulmues në skuadrën e Chelseat. Christopher Nkunku është paraqitur vetëm në katër ndeshje pas dëmtimit në gju, por nuk vlerësohet se mund ta udhëheqë linjën e sulmit. Ai preferon të mos e ketë të njëjtin rol si Broja dhe Jackson. 

    Në këtë periudhë trajneri Mauricio Pochettino mund ta përdorë Brojën rregullisht. Futbollisti që përfaqëson Shqipërinë ka pasur rol të rëndësishëm deri tani. 

    Kur kanë kaluar pesë muaj prej fillimit të kampionatit, Broja ka qenë titullar në vetëm pesë ndeshje dhe nëntë të tjera i ka luajtur si zëvendësues. Ai ka zhvilluar 448 minuta lojë (pa i përfshirë minutat shtesë) dhe ende nuk e ka pasur rastin ta kompletojë ndonjë ndeshje. Më së shumti në një ndeshje të edicionit aktual ka luajtur 67 minuta në disfatën 2:0 nga Evertoni muajin e kaluar. Në muajin tetor i pati dy ndeshje rresht si titullar, kundër Fulhamit dhe Burnleyt. 

    Por janë disa arsye të kuptueshme që kjo ka ndodhur. Broja shqeu ligamentin në gjurin e këmbës së djathtë në dhjetor të vitit 2022 dhe për të qenë i gatshëm të luajë sërish për skuadrën iu desh të priste deri në shtator. Nuk kishte ndeshje zyrtare apo miqësore me grupmoshën U21. Ai u kthye me ekipin senior si zëvendësues kundër Aston Villas.

    Pas periudhës së gjatë jashtë fushës Brojës iu desh që ta fitonte formën më të mirë fizike. Mungesa në fazën përgatitore ishte një disavantazh i madh për të. Broja nuk shkoi me Chelsean në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E vazhdoi punën me programin e veçantë në qendrën stërvitore të klubit në Cobham. Ai kërkonte të ishte në formë nën drejtimin e Pochettinos, që erdhi si trajner në muajin qershor. 

    Edhe pse me shumë mungesa shkaku i lëndimeve, Pochettino e kishte mundësinë që të zgjidhte Jacksonin, Raheem Sterlingun, Cole Palmerin dhe Mykhailo Mudrykun si titullar të rregullt në sulm. Jackson, i cili u transferua nga Villarreali për 35 milionë euro në verën e kaluar, është golashënuesi më i mirë i skuadrës me tetë gola, ndërsa Broja e ka gjetur rrugën e golit vetëm një herë – kundër Fulhamit para tre muajsh. 

    Por Broja nuk e ka pasur mundësinë të hynte në ritmin më të mirë, të siguronte disa ndeshje rresht. Kjo i duhet një lojtari për t’u kthyer në formën më të mirë. Sulmuesit mund të vuajnë më së shumti në këtë aspekt, pasi loja e tyre varet nga instinkti para portës. 

    Broja nuk ka qenë i mërzitur dhe nuk është ankuar prapa skenave. Ai e kupton situatën dhe e ka shpjeguar këtë në një intervistë për “The Secret Scout” në muajin nëntor. 

    “Shumë lojtarë do të zhgënjeheshin për mungesën e minutave apo kohës që luajnë në një ndeshje”, kishte thënë ai. “Unë kam ardhur nga një lëndim i rëndë dhe duhet ta tregoj veten para trajnerit, stafit, klubit dhe tifozëve. Jam shumë mirënjohës që kam mundësinë të ndikoj në ndeshje dhe të hyj e ta ndihmoj ekipin”. 

    Broja e bëri këtë kundër Manchester Cityt kur në zonë e mashtroi Ruben Diasin. Qendërmbrojtësi shkaktoi faull dhe Chelsea fitoi penallti nga e cila Cole Palmer barazoi shifrat në 4:4. 

    Por do të ishte njerëzore nëse Broja do të kërkonte më shumë se kaq. 

    Chelsea ka të drejtë që pret më shumë nga ai, po ashtu. 

    Pochettino i ka ofruar mjaftueshëm përkrahje privatisht, por edhe në publik. Kur u pyet në tetor nëse Broja do të ishte top-sulmues për Chelsean, Pochettino tha: “Po, Broja ka potencial të shkëlqyer. Tani është koha që ai të rikuperohet nga lëndimi pasi për kohë të gjatë ishte jashtë. Ai është lojtar shumë i talentuar. Ne i besojmë atij. Atij i duhet kohë për t’u ndier i kompletuar. Nëse jo me trup, të jetë me mendje. Sepse ndonjëherë kjo ndikon edhe në aspektin psikik. Ai është në disponim të mirë, punon fort dhe shpresoj se ai mund të përmirësohet në javët e ardhshme dhe të jetë lojtari të cilit me të vërtetë i besojmë”. 

    Për fat të keq një lëndim i lehtë në gjurin e këmbës së majtë, në ndeshjen në udhëtim te Burnley, kishte ndikimin. Por, Pochettino ka vazhduar të jap fjalë të mira për shqiptarin, njësoj si asistenti Jesus Perez, i cili flet më së shumti me anëtarët e skuadrës. 

    Me tendencën e Chelseat për të shitur lojtarët që i ka rritur vetë për të qëndruar mirë me përfitimet e Premier Leagues dhe rregullave, e ardhmja e Brojës ka qenë cak i spekulimeve. Ofertat nga West Hami janë refuzuar, ndërsa ai nënshkroi kontratë të re vitin e kaluar dhe është i lidhur me klubin deri në vitin 2028. 

    Këtë javë pati raportime se ai ka qenë pjesë e ofertës së Chelseat për transferimin e mbrojtësit të Benficas, Antonio Silva. “The Athletic” bën të ditur se kjo nuk është e vërtetë. 

    Megjithatë, Chelsea po e konsideron transferimin e një tjetër sulmuesi këtë vit edhe pse suksesi mund të varet nga aftësia e klubit për të shitur lojtarë e për të mbledhur fonde. Dhe në këtë kontekst, spekulimet për Brojën mund të vazhdojnë. Ka shumë klube në Angli dhe jashtë të cilat po e monitorojnë situatën e tij, e të cilat do të donin ta transferonin nëse do të ishte e mundur. 

    Në të njëjtën kohë, përderisa Jackson është larg, Broja e ka mundësinë për të lënë gjurmë në “Stamford Bridge”. 

    Në gjysmëfinale të “Carabao Cup” do të jenë dy ndeshje kundër skuadrës së “Championshipit”, Middlesbrough, plus katër ndeshje të Premier Leagues. Nëse këto i fiton,

    Chelsea do të mund të ngjitej në vendet që dërgojnë në kupat evropiane. 

    Broja po ashtu e ka motivimin për përfaqësimin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian këtë verë. Përzgjedhësi i Shqipërisë, ish-mbrojtësi i majtë i Arsenalit, Sylvinho, ka qenë në kontakt me të duke i ofruar përkrahje. 

    Megjithatë, Chelsea është fokusi i tij kryesor momentalisht. Broja do ta mësojë në javët e ardhshme se sa besim me të vërtetë ka pasur në të trajneri Pochettino.  

    TË LIDHURA

    Sezoni i ri, Xherdan Shaqiri ‘i vjetër’ – shpërthen me gola dhe ia siguron Baselit tri pikë

    06/08/2025 23:16

    “Jam nga Zvicra dhe flas shqip”, intervista 20 sekondëshe e Ardon Jasharit

    06/08/2025 21:50

    Becali më nuk jep deklarata të forta, flet për përballjen me Dritën: Nuk them më se ka skuadër të dobët

    06/08/2025 20:47

    Zekirija Ramadani para përballjes me FCSB: Nuk e nënvlerësojmë askënd, jemi gati për sfidën

    06/08/2025 19:34
    IMPRESSUM

    Your source for the sport

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.