Kosova nuk është paraqitur ende në Botëror. Por një lojtar që ka lindur në Kosovë ka luajtur në Kupën e Botës. Bëhet fjalë për Albert Bunjakun, që në vitin 2010 ishte me Zvicrën në Botërorin e mbajtur në Afrikën e Jugut.
Atëbotë pjesë e Zvicrës ishin edhe Valon Behrami dhe Xherdan Shaqiri. Behrami është pensionuar, ndërsa Shaqiri në Katar luan Botërorin e katërt. Aktualisht te Zvicra janë edhe kapiteni Granit Xhaka dhe Ardon Jashari.
Me përfaqësuesen helvetike, Bunjaku luajti pak minuta në ndeshjen e fazës së grupeve kundër Kilit. Bunjaku 38-vjeçar i ishte bashkuar Kosovës në vitin 2014, ndërsa ka bërë karrierë të madhe, sidomos në Gjermani. Karrierën si futbollist e ka përfunduar.
Në një intervistë për KOHËN, Albert Bunjaku ka folur për përvojën e veçantë në ngjarjen më të madhe.
KOHA: Kur është larguar familja juaj për në Zvicër?
Bunjaku: I kam pasur 6 vjet kur unë kam shkuar në Zvicër, ndërsa babi më herët ka shkuar për të punuar, që të na mundësoj kushte më të mira të jetesës. Jemi pritur mirë në Zvicër nga njerëzit dhe kemi pasur një fillim pozitiv. Nuk ka qenë aspak jetesa e vështirë në Zvicër.
Si ka qenë ajo periudhë për familjen tuaj?
Bunjaku: Për familjen, nënën dhe babin ka qenë sigurisht më vështirë, pasi nëna dhe ne fëmijët nuk e dinim gjuhën dhe ka shkuar një kohë derisa mësuam gjuhën. Edhe për babin ka qenë e vështirë fillimi derisa ka hyrë në punë dhe mësoi gjuhën. Babi ka qenë 5 vjet më herët se ne në Zvicër.
Kalimi në Gjermani në vitin 2006 a ishte i duhur?
Bunjaku: Nuk ka qenë vështirë integrimi në Gjermani.
A mund të na tregosh momentin kur e pranove ftesën e selektorit Hitzfeld për Botëror?
Bunjaku: Ka qenë e pabesueshme për mua. Pas gjysmë viti të kaluar në Bundesligë, sigurova ftesën. Ftesa nga Ottmar Hitzfeld, një njeri i madh që ka fituar me Bayernin trofe, ka qenë në jetën time përvoja e dytë më e mirë. Do të mbetet gjithnjë në mendjen time. Ka qenë fenomenale. Ka qenë e papritur për mua.
A ishte i emocionuar për ftesën?
Bunjaku: Kam qenë në stërvitje. Para stërvitjes më tregoi trajneri që ka biseduar me Hitzfeldin. Nuk e dija se si t’i flisja një emri të madh siç është Hitzfeld. E kam telefonuar pas stërvitjes dhe biseda ka qenë shumë e ngrohtë. Për mua është një prej trajnerëve më të mëdhenj në botë. Ka qenë kënaqësi dhe e çuditshme për mua ku një trajner i madh të më ftoj të jem pjesë e Zvicrës. Ka qenë gëzim i madh.
Nuk ishe i vetmi shqiptar. Cila ka qenë lidhja juaj me shqiptarët e tjerë dhe a mbani kontakte?
Bunjaku: Kemi kontakte me Xherdanin, sidomos. Shkruajmë mesazhe. Xherdani ka qenë i ri kur iu bashkova Zvcirës dhe edhe për Xherdanin ishte hera e parë që grumbullohej me Zvicrën. Ndërsa Valoni ka qenë më i vjetër dhe më ka ndihmuar shumë. Valoni më ka ndihmuar shumë sepse ka pasur më shumë përvojë me Zvicrën.
Çfarë do të thotë për një futbollist paraqitja në Botëror?
Bunjaku: Paraqitja në Botëror do të jetë në mendjen time gjithnjë dhe kjo u bë falë Hitzfeldit dhe Zvicrës. Kanë qenë 15 minutat më të mira në jetën time të luaj në Botëror. Është një gjë që nuk do ta harroj kurrë. Pak e habitshme, pasi pas një viti në Bundesligë u paraqita në Botëror. Ka qenë e mahnitshme. Edhe familja ime ishte në Afrikë dhe ka qenë speciale për mua.
Çka e dallon grumbullimin për Botëror?
Bunjaku: Grumbullimet me përfaqësuese për ngjarje të mëdha janë me shumë emocione, pasi secili shtet synon të arrijë kalimin e sa më shumë raundeve.
A jeni tifoz i Zvicrës dhe sa larg mund të shkojë ajo?
Bunjaku: Jam tifoz i Zvicrës, por më shumë për lojtarët e tanë, Xherdanin, Granitin. Uroj që Zvicra të luaj një Botëror të mirë dhe të kap gjysmëfinalen apo edhe finalen. Do të ishte e jashtëzakonshme, por do të jetë vështirë.
Një tjetër përballje e Zvicrës me Serbinë. Si do të jetë për Xhakën e Shaqirin?
Bunjaku: Ka qenë loja e parë që Zvicra e ka luajtur ndaj Serbisë dhe ka pasur emocione. Tash nuk besoj se do të jetë emocionale për Xherdanin dhe Granitin. Do të jetë një lojë grupi, por jo më shumë.
Cila përfaqësuese mendoni se do ta fitojë Botërorin?
Bunjaku: Do të jetë vështirë, pasi e para, kjo Kupë e Botës luhet dimrit. Anglia mendoj se favorizohet për shkak se luan rregullisht në dimër, por se cila do ta fitoj është vështirë të themi tani.
Ke luajtur edhe për Kosovën. A ke realizuar ëndrrën duke luajtur për dy përfaqësuese?
Bunjaku: Ka qenë një ëndërr të luaj për Kosovën, pasi është vendlindja ime, nënës dhe babit. Familjen e kam në Kosovë dhe ka qenë një ëndërr që luajta edhe për Kosovën.
Zvicra e Kosova do të jenë përballë. Për cilën do të jeni ju?
Bunjaku: Vështirë të bëj ndarjen. Kam luajtur për të dyja, Zvicrën dhe Kosovën. I kam në zemër të dyja shtetet, por them 51 % për Kosovën dhe 49 % për Zvicrën. Kosova ka arritur shumë progres nga ajo kohë kur kemi qenë në fillim. Tash luajnë lojtarët në nivele të larta. Uroj që Kosova të kualifikohet në Euro 2024.
A do të kërkosh që ta mundësojnë përshëndetjen nga dy përfaqësueset në ato ndeshje?
Bunjaku: Do të ishte mirë dhe e jashtëzakonshme, por tash nuk jam aktiv, jam vetëm tifoz. U uroj të dyja përfaqësueseve suksese dhe uroj t’i kemi dy përfaqësueset në të ardhmen edhe në Botëror por edhe në Evropian.