Titulli i kampionit të Premier Leagues tani vlerësohet të jetë në dorën e Manchester Cityt. Skuadra e Pep Guardiolas është favorite e madhe pas fitores së thellë, 4:1, ndaj Arsenalit, të mërkurën mbrëma.
City dukej si kampion në ardhje duke u treguar i pamëshirshëm ndaj skuadrës që ka udhëhequr në kampionat për pjesën më të madhe të edicionit. Arsenali është ende në krye të renditjes, por në kohën kur sulmuesi Erling Haaland shënoi golin e katërt për Cityn në kohën shtesë gara e londinezëve për titull dukej e përfunduar.
Manchester City, që është kampion në fuqi, mbetet dy pikë prapa Arsenalit. Por me dy ndeshje më pak të luajtura duket se është në rrugën drejt kurorëzimit kampion për të tretin vit radhazi.
“Është në duart tona”, tha Guardiola. “Deri më tani unë preferoja pozicionin e Arsenalit, sepse nëse Arsenali do të na kishte mundur atëherë titulli do të ishte në duart e tij. Tani fati është në duart tona”.
Pas 17 ndeshjeve pa humbje, vështirë është të imagjinohet se City do të bëjë ndonjë gabim deri në fund të edicionit. Arsenali ndërkohë mund të luftojë për t’u rikuperuar nga humbja ndëshkuese, e cila erdhi pas tri barazimeve rresht. Skuadra e Mikel Artetas ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë duke e çuar sfidën deri këtu, por presioni duket se ka bërë të veten në javët e fundit. Dy gola epërsi nuk mjaftuan kundër Liverpoolit dhe West Hamit, ndërsa u desh një kthim i vonshëm për të shpëtuar një pikë kundër Southamptonit të vendit të fundit, javën e kaluar. Kjo seri negative nënkuptonte automatikisht që Arsenali duhej të fitonte kundër Cityt për të mbajtur kontrollin e garës për titull.
“Lojtarët e ekipit tim duhet të përgëzohen që pas nëntë muajsh e gjysmë janë këtu”, pranoi trajneri i Arsenalit, Arteta. “Dhe kemi ende pesë ndeshje për të luajtur. Për 22 vjet në këtë vend kam parë shumë gjëra dhe nuk ka dy ndeshje të barabarta në këtë ligë. Së pari duhet të ngremë lojtarët tanë që vuajtën pas humbjes nga City, pasi u përballëm me një ekip të jashtëzakonshëm. Por edhe ne jemi një ekip i jashtëzakonshëm”.
City mund të dal në krye të renditjes me një fitore kundër Fulhamit të dielën. Testi më i madh megjithatë tashmë është kaluar për Cityn, që mposhti Arsenalin për herë të tretë këtë edicion. Këtu përfshihet një fitore në Kupën FA.
Derisa as Guardiola dhe as Arteta nuk pranuan që kjo ndeshje ishte vendimtare për titullin, fitorja e vendosi Cityn në pozitë për të kontrolluar kampionatin. Do të duhej një rënie e madhe që kampioni në fuqi t’ia kthente iniciativën Arsenalit. Pasi luftoi për qëndrueshmëri në gjysmën e parë të edicionit, City është bërë më i fortë ndërsa kampanja ka vazhduar. Ka arritur në pikën ku duket i pandalshëm. Haalandi shënoi golin e 49-të të edicionit të mërkurën, ndërsa Kevin de Bruyne ishte i jashtëzakonshëm duke shënuar dy gola dhe asistuar një herë.
“Kevini është mjeshtër i asistimit me ose pa Erlingun në fushë”, tha Guardiola. “Erlingu shënon gola gjatë gjithë kohës me ose pa Kevinin. Por duke qenë së bashku, ata janë shumë të rrezikshëm dhe ne e përdorim këtë”.
De Bruyne kaloi Cityn në avantazh në minutën e shtatë, me John Stonesin që dyfishoi epërsinë në kohën shtesë të pjesës së parë. De Bruyne shënoi sërish në minutën e 54-të dhe Rob Holding (86’) realizoi për Arsenalin përpara goditjes fatale të Haalandit.
City mbetet në garë për ta mbyllur edicionin me tripletë, pasi është edhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe në finale të Kupës FA. Për një kohë të gjatë titulli i Premier Leagues dukej sikur ishte i paarritshëm, duke pasur parasysh ritmin që Arsenali vendosi duke fituar nëntë nga 10 ndeshjet e para të edicionit. Edhe pas humbjes nga City në muajin shkurt, Arsenali u rikuperua për të fituar shtatë ndeshje rresht në ligë. Por një kombinim i formës së mirë të Cityt dhe rënies së Arsenalit, e ka shtyrë Guardiolën drejt titullit të pestë që kur mori drejtimin e skuadrës në vitin 2016. Arteta, ndërkohë, po synon t’ia siguroj Arsenalin titullin e parë që nga viti 2004.
“Ne duhet të pranojmë realitetin dhe kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara”, tha Arteta. “City ishte më i mirë se ne dhe me meritë është këtu. Ne duhet të përmirësohemi dhe të jemi mjaft të përulur për ta pranuar këtë”.