Mateo Kovaçiq është prezantuar të martën te kampioni i Anglisë, Manchester City.
Kroati 29-vjeçar ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me skuadrën angleze. Ai u transferua te City nga skuadra tjetër angleze, Chelsea. Ai është i lumtur që i bashkohet Cityt.
“Kjo është një arritje e shkëlqyer për mua dhe mezi pres të filloj me Cityn. Kushdo që e ka parë këtë skuadër nën drejtimin e Pep Guardiolas e di se sa të mira janë. Për mua janë më të mirët në botë. Trofetë që kanë fituar janë të qarta për të gjithë, por janë edhe skuadra më e mirë e futbollit anglez. Të bashkohesh me këtë skuadër është vërtetë një ëndërr për çdo futbollist”, ka thënë Kovaçiq për faqen zyrtare të klubit. Edhe te skuadra angleze janë ndarë të kënaqur me transferimin e mesfushorit kroat. Ai për Chelsean ka luajtur pesë sezone. Ka fituar Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, Kupën e Botës për klube, Superkupën e UEFA-s. Ai ka luajtur deri tani 95 ndeshje për Kroacinë.
