Një ditë pasi rumun “Uniti sub tricolor” provokoi “Dardanët” duke i pyetur pse nuk ishin në Bukuresht, ka reaguar i pari i tifozëve të Kosovës, Lulzim Berisha.
Berisha ka treguar arsyet e mosudhëtimit në Rumani.
Ai ka thënë se “Dardanët” disa akte nuk kanë dashur t’i publikojnë me qëllim që të mos dëmtohet imazhi i Kosovës, e as të mos paraqitet ndonjë rrezik për gjobë.
“Meqenëse në adresë tonë nga një tifozëri fëmijësh dhe me orientim filoserb paskan ardhur shigjetime publike, ne atyre ua bëjmë me dije se në tribuna dhe jashtë tribunave nuk ua kemi frikën askujt. Kur është në pyetje të vihet në praktikë diçka e tillë e bëjmë pa u krekosur në medie. Nëse provokohemi, kundërpërgjigjemi në mënyrën tonë siç dëshmon fotografia që po publikojmë më poshtë. Ky nuk është një terren të cilin nuk e njohim. Bile e njohim edhe mirë, por luftojmë me të gjithë forcat që t’iu shmangemi deri kur na u imponohet. Në vendin tonë rregullat i bëjmë vetë, në heshtje, gjithmonë në përpjekje për ta ruajtur edhe Kombëtaren e Kosovës, të cilën e duam shumë. Atyre u dërgojmë selam se shihemi në ndeshjet tjera, kur problemet burokratike nuk na bëhen pengesë e udhëtimeve”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.

