Fanella me numrin 5 e mbajtur për kohë të gjatë nga mesfushori shqiptar, Arijan Ademi, te skuadra e Dinamos së Zagrebit, do të pensionohet.
Kështu ka konfirmuar skuadra e madhe kroate nëpërmjet një komunikate për media.
“Arijan Ademi, simbol, model, kapiten dhe lider, u largua nga GNK Dinamo pas afro 13 vjetësh të kaluar me skuadrën. Në ditët e kaluara, qindra mesazhe përshëndetëse kanë ardhur në drejtim të kapitenit. Ata kanë falënderuar Ademin për çdo gjë që ka dhënë për fanellën e ‘kaltër’”, thuhet fillimisht në njoftimin e Dinamos.
Më pas, gjiganti kroat ka folur për të kaluarën e klubit.
Ka treguar se në historinë e Dinamos kanë luajtur shumë lojtarë të mëdhenj që kanë lënë gjurmë, ndërsa skuadra nuk kishte vendosur ta pensiononte asnjë numër, pavarësisht respektit që kishte për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për këtë skuadër.
“Megjithatë, klubi ka vendosur që numri pesë të tërhiqet nga përdorimi deri në momentin kur Arijan Ademi të vendosë të pensionohet nga loja e futbollit. Deri në atë moment, numri pesë i Dinamos do të jetë i rezervuar vetëm për të”, shkruan tutje në njoftim.
“Kjo është një shenjë e vogël mirënjohjeje që ne mund ta bëjmë për Arijanin, i cili ka dhënë gjithçka në 13 vjetët e fundit. Në këtë mënyrë, GNK Dinamo edhe një herë rithekson rëndësinë e kapitenit tonë për klubin, si dhe rëndësinë e Arijan Ademit për të gjitha gjeneratat e ardhshme, të cilët me krenari do ta mbajnë stemën e Dinamos në gjoks”, ka shkruar Dinamo të mërkurën në mbrëmje.
Dinamo ka shtuar, po ashtu, se Arijan Ademi do të përjetësohet në stadiumin “Maksimir” në të ardhmen dhe do të shërbejë si inspirim për gjeneratat e ardhshme.
31-vjeçari e përfaqësoi Maqedoninë e Veriut prej vitit 2014, ndërsa ka 28 paraqitje e katër gola të shënuar.
Ai më parë ka përfaqësuar grupmoshat zinxhirë të Kroacisë, ndërsa me ekipin e parë të kroatëve ka luajtur në tri ndeshje.
Ademi karrierën si futbollist e ka nisur te Shibeniku, ndërsa për një kohë ka luajtur si i huazuar edhe te NK Lokomotiva.
Me Dinamon e Zagrebit ka 359 paraqitje, 41 gola të shënuar e 30 asistime.
Ka fituar 11 tituj kampioni me gjigantin kroat, ndërsa katër herë është fitues i Kupës së Kroacisë.