Trajneri Tahir Batatina është optimist se shumë shpejt Llapi do t’i japë fund rezultateve negative dhe se do të luftojë për trofe.
Këtë edicion, fituesi i Kupës së Kosovës, nuk e ka nisur aspak mbarë, duke pësuar humbje të shpeshta e me gjendjen momentale po lufton për mbijetesë në Superligë.
Sidoqoftë, te skuadra e Llapit optimizmi është i lartë që do të këndellen. Trajneri Tahir Batatina në një bisedë të shkurtër për Gazetën Nacionale ka folur para ndeshjes së nesërme kundër Ballkanit.
Tekniku llapjanas e vlerësoi si ndeshje të vështirë atë ndaj skuadrës së Ilir Dajës, duke marrë parasysh skuadrën solide që kanë “Xhebrailat”.
“Po padyshim do të jetë një ndeshje e vështirë. Ballkani siç e dimë ka një skuadër solide, do të shkojmë të luajmë dhe të shohim si do të shkojë”.
Batatina refuzoi ta pranojë që do të luajnë vetëm për fitore, duke lënë të hapur se edhe barazimi do t’i bënte të lumtur.
“Na do të shkojmë të luajmë për rezultat pozitiv, nuk nënkupton që gjithqysh të jetë fitore”.
Në fund i pyetur për këtë formë të dobët, ai theksoi se “vjen pranvera”, duke bërë të ditur se do të këndellen së shpejti.
“Ka kohë, është ende fillimi. Bie bora, largohet bora, rritet bari, vjen pranvera. Do ta ngrijmë Kupën, është ende herët. Të shohim”, theksoi ai.
Më shumë humbje se fitore, Llapi nuk po duket askund momentalisht
Formën jo të mirë që po e kalon Llapi, e dëshmojnë më së miri statistikat në Superligën e Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina renditët në pozitën e nëntë në tabelë me 16 pikë të mbledhura nga 14 xhiro të zhvilluara, 15 prapa liderit momental Drita, skuadër kjo që ka zhvilluar një lojë më shumë.
Llapi deri me tani ka realizuar vetëm katër fitore, aq sa ka barazime, derisa numëron edhe gjashtë humbje në total.
Për fund, kujtojmë se ndeshja mes Ballkanit dhe Llapit do të zhvillohet në Suharekë me fillim nga ora 13:00.