Vetëm një javë pasi ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku tha se në qytetin e Suharekës do të ndërtohet një stadium i ri i futbollit, kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj publikoi planin e stadiumit dhe vendin ku është planifikuar të ndërtohet ky stadium. Megjithatë, Qeveria e Kosovës në buxhetin për vitin 2024 ka ndarë vetëm 100 mijë euro për këtë stadium. Mjete këto jo të mjaftueshme për finalizimin e këtij projekti.
Ballkani.info ka parë se në ndarjet buxhetore për viti 2024, Qeveria e Kosovë ka ndarë vetëm 100 mijë euro për ndërtimin e stadiumit në qytetin e Suharekës. Stadium ky që shfrytëzohet nga kampioni i Kosovës, FC Ballkani.

Vet ministri i Kulturës dhe Sportit, Hajrullah Çeku, në seancën plenare, ku njoftoi për ndërtimin e këtij stadiumi, tha se mbështetja e Ministrisë së Sportit për sektorin e sportit nuk ka qenë asnjëherë më e madhe se tani dhe se sporti është prioritet, megjithatë një mbështetje të tillë nuk po e gjen edhe një nga klubet me të mëdha në vend siç është FC Ballkani, i cili është lider në sportin vendor.
Për këtë stadium, komuna e Suharekës ka ndarë një parcelë kadastrale me sipërfaqe prej 16 hektarësh, po ashtu ka publikuar projektin ideor të stadiumit të qytetit – kategoria 4 me kapacitet rreth 17 mijë ulëse.
Ndryshe, Ballkani është skuadra që po vazhdon t’i zhvillojë ndeshjet në një stadium me bari sintetik, derisa për herë të dytë radhazi është kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Kujtojmë se në Suharekë aktualisht janë dy klube futbollit, FC Ballkani dhe FC Suhareka.
Ballkani tashmë është kthyer në emër të futbollit kosovar, pas dy titujve të fituar dhe pjesëmarrjes dy herë radhazi në garat ndërkombëtare. Në anën tjetër Suhareka bën pjesën në Ligën e Parë dhe me investimet e bërë shihet si kandidat për tu ngjitur në Superligën e Kosovës. /Ballkani.info/
