Drita ka bërë tjetër hap pozitiv drejt titullit të kampionit në Superligën e Kosovës në futboll.
Me fitoren 2:0 të shtunën në terrenin me bar sintetik në Gjilan, Drita është shkëputur në tabelë me 10 pikë më shumë se vendi i dytë dhe kampioni i tri edicioneve të fundit në Kosovë, Ballkani.
Drita e para ka 47 pikë, ndërsa Ballkani i dyti ka 37.
Suhareka në pozitën e gjashtë mbetet me 26 pikë.
Për Dritën ishte fitorja e tretë në stinorin pranveror, ndërsa e ka edhe një barazim. Në Superligë ka mposhtur Malishevën dhe barazoi në xhiron e kaluar me Prishtinën. Në Kupë fitoi 5:4 pas ekzekutimit të penalltive ndaj Dukagjinit.
Besnik Krasniqi në minutën e 25-të shënoi nga penalltia për 1:0.
Për mbrojtësin e krahut të djathtë ishte goli i tetë i edicionit.
Ndërkohë në minutën e 63-të, Rron Broja realizoi supergol dhe e vendosi sfidën e kësaj fundjave.
Drita në xhiron e ardhshme ballafaqohet me Ferizajn në Gjilan, teksa Suhareka në shtëpi e pret Gjilanin.

Vetëm nga një pikë për Llapin e Malishevën
Llapi dhe Malisheva kanë marrë vetëm nga një pikë nga ndeshja e xhiros së 21-të e elitës së futbollit të Kosovës.
Të shtunën në stadiumin “Zahir Pajaziti”, Llapi dhe Malisheva barazuan pa gola, në ndeshjen që u karakterizua me vonesa të shumta për shkak të lëndimeve.
Por, edhe rastet nuk munguan për të dyja ekipet.
Megjithatë, gola nuk pati.
Në nisje të stinorit pranveror, të dyja skuadrat kishin nga dy fitore e një disfatë.
Llapi u mposht nga Gjilani, derisa në Kupë fitoi ndaj Vushtrrisë, e në Superligë ndaj Feronikelit 74.
Malisheva u mposht nga Drita. Më pas fitoi në Kupë ndaj Dinamos së Ferizajt, teksa e mposhti edhe Ferizajn.
Në tabelë, situatë dukshëm më të mirë ka Malisheva që renditet në pozitën e tretë me 34 pikë, tri më pak se Ballkani që është i dyti.
Llapi mbetet i parafundit me 22 pikë dhe vazhdon garën e fortë për mbetje në elitë.
Llapin në xhiron e 22-të e pret udhëtimi i vështirë te Prishtina.
Malisheva në “Liman Gegaj” takohet me Ballkanin.