Arb Manaj ishte i vëmendshëm në zonë nër minutën e 74-t, për fitoren e madhe të kampiones së Kosovës në futboll. Drita e Gjilanit të martën mbrëma në “Fadil Vokrri” në Prishtinë fitoi 1:0 ndaj kampionit të Luksemburgut, Differdange. Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Luksemburg.
Por në Luksemburg gjilanasit do të udhëtojnë në pozitë goxha të mirë për të siguruar avancimin në raundin e dytë kualifikues të Championsit.
Në mesin e pjesës së dytë, Drita realizoi një aksion nga krahu i majtë, që në fillim nuk dukej i rrezikshëm. Topi erdhi në zonë te Salifu Ibrahim që e përcolli atë te Manaj. Sulmuesi i fuqishëm ia doli ta shtyjë në portë për 1:0.
Shifrat më nuk ndryshuan.
Drita vlerësohej favorite ndaj Differdanges dhe këtë e dëshmoi me dominim në fushë. Por dominimi nuk mjaftoi për krijim të rasteve të shumta.
Sidomos në pjesën e parë rastet kanë munguar thuajse në tërësi. Gjilanasit krijuan vetëm disa gjysmëraste, por pa rrezikuar seriozisht portën e kundërshtarit. Ndërkohë Differdange rrezikoi vetëm një herë.
Pjesa e dytë ishte më e gjallë. Dhe goli erdhi pas ndryshimeve në përbërje të bëra nga Zekirija Ramadani.
Me të nisur pjesa e dytë Liridon Balaj i kishte dy tentime, kurse i pari ishte goxha i rrezikshëm. Në minutën e 63-të rrezikoi Veton Tusha, ndërsa pas golit të epërsisë, Dritën e shpëtoi portieri Faton Maloku. Ai bëri pritje vendimtare.
Differdange në fakt i krijoi tri raste për barazim të rezultatit, por pa ia dalë të konkretizojë.
Fare në fund rast të mirë për Dritën lëshoi Salifu Ibrahim, që nuk ishte i saktë.