Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, e nisi rrugëtimin e saj kundër kampionit të Luksemburgut, Differdange. Rrugëtimin e saj do ta mbyllë pikërisht ndaj kundërshtarit të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Te Drita synojnë ta mposhtin sërish Differdangen për të arritur sukses historik të klubit – kualifikimin në fazën e ligës, në Ligën e Konferencës.
Drita e kishte mposhtur Differdangen në dy ndeshjet e para kualifikuese të Championsit.
Ndeshjen e parë e kishte fituar 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me golin e Arb Manajt. Manaj dhe Veton Tusha kishin shënuar edhe në ndeshjen në udhëtim, në fitoren 3:2.
“E para është se duhet të përgatitemi për xhiron e parë të Superligës. Sa i përket kundërshtarit të ardhshëm, ne njihemi mirë me ta dhe jemi brenda objektivit. Do të luajmë për ta bërë realitet ëndrrën e çdo individi që është te Drita dhe të çdo tifozi për ta parë Dritën në Ligën e Konferencës”, ka deklaruar të premten për KOHËN trajneri shkupjan, Zekirija Ramadani.
Pasi e eliminoi Differdangen në rrethin e parë kualifikues të Championsit, Drita e vazhdoi rrugëtimin në rrethin e dytë kualifikues dhe përballë e pati Copenhagenin. Copenhageni, skuadra më e suksesshme e futbollit danez, fitoi me rezultatin e përgjithshëm 3:0 dhe avancoi tutje. Ndërkohë, Drita u bart në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Nga FCSB-ja rumune u mposht me rezultatin e përgjithshëm 6:3. Me rezultatin 3:2 u mposht në Bukuresht javën e kaluar, ndonëse ishte në epërsi prej 2:0 për kohë të gjatë. Në kryeqytet humbi 3:1.
Differdange nga ana tjetër, pasi u eliminua nga Drita në raundin e parë kualifikues të Championsit, u bart në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. E eliminoi skuadrën TNS të Uellsit 2:0 me rezultat të përgjithshëm. Fazën e plejofit e siguroi pasi e kaloi Levadian e Estonisë. Luksemburgasit u mposhtën 3:2 në shtëpi, por fituan 3:1 në udhëtim, pas vazhdimeve.
“Shpresojmë të kemi paraqitje sa më të mirë kundër Differdanges. E dimë që e kemi mposhtur një herë. Shpresojmë t’ia arrijmë qëllimit, t’i mposhtim përsëri. Shpresoj të ndodhë kjo”, deklaroi pas ndeshjes Veton Tusha.
Tusha ishte shënues i golit të fitores 3:2 ndaj Differdanges në udhëtim, në minutën e tretë të kohës shtesë. Sulmuesi i krahut e realizoi nga një gol edhe ndaj FCSB-së, në udhëtim e në shtëpi.
Drita është e vetmja skuadër e Kosovës që ka mbetur në garë për avancim në fazën e ligës, në Ligën e Konferencës.
Ballkani pasi e kaloi Florianan në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, u eliminua nga Shamrock Roversi. Skuadrën irlandeze e mposhti 1:0 në Prishtinë, por pësoi humbje 4:0 në udhëtim. Ballkani deri tani është e vetmja skuadër që është paraqitur dy herë rresht në fazën grupore të Ligës së Konferencës.
Fituesja e Kupës së Kosovës, Prishtina, u eliminua në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës nga Sheriff Tiraspoli i Moldavisë, ndërsa në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës humbi nga Larne në Prishtinë pas ekzekutimit të penalltive, 5:4. 1:1 ishte mbyllur ndeshja në Irlandën e Veriut. Me të njëjtin rezultat u mbyll edhe ndeshja në “Fadil Vokrri” në kohën e rregullt dhe në vazhdime.
Ndërkohë, Malisheva pësoi thellë nga Vikingur Reykjavik i Irlandës. Humbi 1:0 në Prishtinë dhe 8:0 në udhëtim.