Drita ka hasur vështirësi për të thyer Drenicën, por në fund ka shënuar fitore të thellë. Të dielën në Gjilan, Drita fitoi me rezultatin 3:0 ndaj skuadrës nga Skënderaj. Ndeshja i ka takuar xhiros së 27-të të Superligës së Kosovës në futboll. Me fitore, skuadra gjilanase është kthyer në vendin e parë në tabelë. Udhëheq me 55 pikë, një më shumë se kampioni aktual, Ballkani.
Ballkani të shtunën kaloi në vendin e parë, por vetëm për një ditë. Ndërkohë Drenica mbetet e fundit me 23 pikë dhe me gjasa gjithnjë e më të vogla për të shmangur rënien. Drenica asnjëherë nuk është larguar nga Superliga.
Gjërat u lehtësuan për Dritën në minutën e 36-të, kur me karton të kuq u përjashtua Agim Zeka i Drenicës. Ai u ndëshkua direkt me të kuq për shkak të një goditje të pakujdesshme në kokë ndaj Blend Baftiut. Më pas gjilanasit rritën presionin ndaj Drenicës, por golin e parë e shënuan vetëm në minutën e 58-të. Leonat Vitija shënoi për 1:0.
Në minutën e 76-të, Muharrem Jashari bëri asistim të bukur për Baftiun, që shënoi për 2:0 me goditje nga zona. Ndërkohë mesfushori Jashari konkretizoi me gol një aksion model të Dritës. Pasi bashkëveproi me disa lojtarë, Jashari shënoi për 3:0 në minutën e 79-të. Drita kështu vazhdon garën e fortë me Ballkanin për titull të kampionit. Ndërkohë për Drenicën mbetja në elitë po bëhet mision gjithnjë e më i vështirë.