Një 15-vjeçar nga JFC Berlin klinikisht i ka vdekur truri, pasi u sulmua nga një lojtar i Metz-it në fund të një ndeshjeje mes dy skuadrave, si pjesë e një turneu të të rinjsh, të zhvilluar në fundjavë në Frankfurt, përcjell shtypi gjerman.
Të dy skuadrat u takuan në gjysmëfinalen e kompeticionit U-17, JFC Berlin fitoi dhe në fund të ndeshjes, një lojtar 16-vjeçar nga skuadra franceze dyshohet se sulmoi kundërshtarin në kokë dhe qafë.
I riu gjerman u rrëzua përtokë, u dërgua në spital ku u konstatua se ishte në një vdekje klinike të trurit, pra organet mbahen në jetë me makineri dhe rikthimi në jetë konsiderohet thuajse i pamundur.
Autori i dyshuar i sulmit është arrestuar të hënën dhe policia është në kërkim të dëshmitarëve.
Metz, nga ana e tij, lëshoi një deklaratë, duke thënë se ishte “thellësisht i tronditur nga kjo tragjedi”. Klubi francez sqaron gjithashtu se i riu “mohon të ketë dëmtuar qëllimisht integritetin fizik të lojtarit të dëmtuar”.