Lindon Emërllahu e Edon Zhegrova i kanë fituar çmimet kryesore për vitin 2024 në futbollin kosovar.
Mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu, është shpallur futbollist i vitit, ndërkohë që Edon Zhegrova e fitoi çmimin “Fadil Vokrri” që i ndahet lojtarit më të mirë të përfaqësueses. Emërllahu ka ndihmuar Ballkanin që ta fitojë titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Në vjeshtë është ftuar dhe ka luajtur për Kosovën.
Lojtari më i mirë është zgjedhur me votat e gazetarëve sportivë. 22-vjeçari ka disa vjet që shquhet me paraqitje. Vitin e kaluar e kishte një lëndim të rëndë, ndërsa është kthyer në shkurt.
“E falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës për këtë çmim. Për mua është nder dhe privilegj. Çmimi shkon për familjen time, që më ka qëndruar afër si në ditë të mira e të vështira. Falënderoj edhe klubin e Ballkanit dhe bashkëlojtarët, sepse pa ta do të ishte e pamundur”, ka thënë Emërllahu.
Ndërkohë formacioni më i mirë i vitit në futbollin kosovar është zgjedhur me votat e trajnerëve të Superligës.
Në portë është përzgjedhur Faton Maloku i Dritës. Besnik Krasniqi i Dritës, Ilir Krasniqi që luajti për Llapin, Lumbardh Dellova që ishte te Ballkani dhe Arlind Veliu i Malishevës kanë zënë vend në mbrojtje.
Mesfusha përbëhet nga Drilon Hazrollaj i Malishevës, Albert Dabiqaj i Dritës,, Lindon Emërllahu e Almir Ajzeraj i Dritës.
Në sulm, sipas votave të trajnerëve, janë përzgjedhur Muhamet Hyseni që luajti për Llapin dhe Mevlan Zeka i Suharekës.
Hazrollaj është golashënuesi më i mirë i vitit me 23 gola.
Prej çmimeve më të rëndësishme është ai “Fadil Vokrri”, që i ndahet lojtarit më të mirë të përfaqësueses. Këtë vit ka shkëlqyer Edon Zhegrova. Ai u paraqit në nivel të lartë sidomos në Ligën e Kampionëve me Lillen. Ndaj Real Madridit ishte lojtar i ndeshjes. Sulmuesi i krahut ka pasur paraqitje të mira edhe në Ligue 1 të Francës dhe me Kosovën.
“Ndihem shumë i lumtur për çmimin e po ashtu që e mban emrin e legjendës Fadil Vokrri. Shpresoj se viti 2025 do të jetë edhe më i suksesshëm. Shpresoj të arrijmë qëllimet me Kosovën dhe me klub. Me Kosovën shpresoj të arrijmë synimet bashkë me trajnerin Franco Foda dhe bashkëlojtarët”, ka thënë Zhegrova.
Klubi më i mirë i vitit u shpall ai kampion, Ballkani. Ilir Daja, që udhëhoqi Ballkanin drejt titullit, u shpall trajner i vitit. Daja tashmë është te Dinamo e Tiranës. Drita e Gjilanit është shpallur klubi më ferplej, derisa Visar Kastrati u shpall arbitri më i mirë i vitit.
Albulena Fejza e Mitrovicës u shpall futbollistja më e mirë e vitit. Mitrovica është shpallur klubi më i mirë i vitit në futbollin e femrave. Ky klub fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.
Në futsal, klubi më i mirë është Prishtina 01, ndërsa Drilon Maxharraj lojtari më i mirë.
Në ceremoninë e mbajtur të premten mbrëma, FFK-ja ka ndarë edhe shumë çmime e mirënjohje të tjera.
Emërllahu, futbollisti i vitit 2024
Mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu, është shpallur futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2024.
Emërllahu ka ndihmuar Ballkanin të fitojë titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës në futboll.
Emërllahu ia ka kushtuar çmimin familjes dhe klubit Ballkani.
Formacioni i vitit, Hyseni e Zeka në sulm
Është zbuluar edhe formacioni më i mirë i futbollit kosovar për vitin 2024.
Formacioni më i mirë është zgjedhur me votat e trajnerëve të Superligës.
Në portë është përzgjedhur Faton Maloku i Dritës.
Besnik Krasniqi, Ilir Krasniqi, Lumbardh Dellova e Arlind Veliu kanë zënë vend në mbrojtje.
Mesfusha përbëhet nga Drilon Hazrollaj, Albert Dabiqaj, Lindon Emërllahu e Almir Ajzeraj.
Në sulm, sipas votave të trajnerëve, më të mirët ishin Muhamet Hyseni e Mevlan Zeka.
Edon Zhegrova e fiton çmimin “Fadil Vokrri”
Sulmuesi i krahut, Edon Zhegrova, e ka fituar çmimin “Fadil Vokrri”, që i ndahet futbollistit më të mirë të përfaqësueses.
“Ndihem shumë i lumtur për çmimin e po ashtu që e mban emrin e legjendës Fadil Vokrri. Shpresoj se viti 2025 do të jetë edhe më i suksesshëm. Shpresoj të arrijmë qëllimet me Kosovën dhe me klub. Me Kosovën shpresoj të arrijmë synimet bashkë me trajnerin Franco Foda dhe bashkëlojtarët”, ka thënë Zhegrova.
Ai ka shkëlqyer te Lille, sidomos në Ligën e Kampionëve.
Hazrollaj, golashënuesi më i mirë i vitit
Sulmuesi i Malishevës, Drilon Hazrollaj, është shpallur golashënuesi më i mirë i vitit 2024 në futbollin kosovar.
Ai i ka shënuar 23 gola gjatë këtij viti.
Ballkani, klubi më i mirë i vitit
Kampioni në fuqi, Ballkani, është shpallur klubi më i mirë i futbollit në Kosovë për vitin 2024.
Ndërkohë trajner i vitit 2024 është shpallur Ilir Daja. Ai udhëhoqi Ballkanin drejt titullit të kampionit. Tashmë e drejton Dinamon e Tiranës.
Drita, klubi më korrekt i vitit
Ballkani ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.
Drita e Gjilanit është shpallur klubi më ferplej në futbollin kosovar për vitin 2024.
Lojtarët e Dritës nuk kanë pranuar asnjë karton të kuq direkt dhe kjo ka bërë dallimin.
Kastrati, arbitri më i mirë për vitin 2024
Visar Kastrati është shpallur arbitri më i mirë i futbollit për vitin 2024 në Kosovë.
Kastrati pos në Superligë, drejton ndeshje edhe në garat evropiane.
“E falënderoj FFK-në, përkatësisht Komisionin e Gjyqtarëve për çmimin. Do të vazhdojmë me punë të mirë. Puna e gjyqtarit është ekipore dhe këtë çmim e ndaj me kolegët e mi gjyqtarë”, ka thënë Kastrati.
Prishtina 01 klubi më i mirë në futsal, Maxharraj lojtari më i mirë
Prishtina 01 është shpallur klubi më i mirë i futsalit në Kosovë për vitin 2024. Prishtina 01 është klub kampion, ndërsa ka pasur sukses edhe në skenën evropiane.
Ndërkohë Drilon Maxharraj është shpallur lojtari më i mirë i futsalit.
Albulena Fejza, futbollistja më e mirë e vitit
Albulena Fejza është shpallur futbollistja më e mirë në Kosovë për vitin 2024.
Ajo luan për klubin Mitrovica.
“E falënderoj FFK-në që më zgjodhi lojtare të vitit. E falënderoj edhe klubin Mitrovica dhe familjen që më ka përkrahur në këtë rrugëtim”, ka thënë Fejza.
Mitrovica, klubi më i mirë i futbollisteve
Mitrovica është shpallur klubi më i mirë i vitit 2024 në futbollin e femrave në Kosovë.
Ceremonia e shpalljes së më të mirëve është duke u mbajtur në afërsi të Prishtinës.
Mitrovica ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.