Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, ka shprehur pakënaqësi të madhe ndaj organizatorëve të Kupës së Botës për Klube, pas ndërprerjeve të shumta gjatë ndeshjes kundër Benficës.
Chelsea arriti të kualifikohej në çerekfinale pas një fitoreje 4-1 pas kohës shtesë, ndërsa ndeshja e rregullt përfundoi 1-1. Por ndeshja zgjati mbi katër orë e gjysmë për shkak të ndalesave të shumta.
Takimi u shty disa herë për shkak të kërcënimeve nga stuhitë me rrufe, megjithëse nuk kishte stuhi specifike mbi stadium. Rregulloret amerikane nuk lejojnë zhvillimin e ndeshjeve nëse regjistrohet rrufe brenda një rrezeje prej 13 kilometrash.
Për këtë arsye, lojtarët e të dy skuadrave u detyruan të prisnin dy orë e gjysmë pas goditjes së fundit të rrufesë për të vazhduar lojën.
Maresca i quajti këto vendime “mashtruese” dhe kritikoi mënyrën e menaxhimit të turneut. Ai tha se është e pazakontë që gjashtë apo shtatë ndeshje të ndërpriten për të njëjtën arsye.
“Kjo është shaka. Si mund të menaxhosh një skuadër pas një ndërprerjeje dyorëshe? Lojtarët flasin me familjet, hanë, qeshin… është e pamundur të mbash përqendrimin”, tha trajneri italian.
Ai shtoi se, ndonëse është i lumtur për kualifikimin, mënyra si po zhvillohet gara nuk është normale dhe e vështirë për t’u menaxhuar në aspektin sportiv.
Maresca u shpreh gjithashtu se Charlotte dhe në përgjithësi Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë vendi i duhur për të organizuar një turne të tillë nëse ndërprerjet e tilla vazhdojnë.
“Nëse shtatë apo tetë ndeshje janë ndërprerë, ndoshta ky nuk është vendi i duhur për futbollin. Mund ta kuptoj një pezullim për siguri, por kjo nuk ka më lidhje me futbollin,” përfundoi trajneri italian.