Komentatori i televizionit zviceran “SRF”, Sascha Ruefer kishte kërkuar largimin e një deklaratë që e kishte bërë në drejtim të Granit Xhakës, pasi që ai frikësohej se ajo mund të cilësohej si raciste.
Dokumentari i rrugëtimit të Kombëtares së Zvicrës në Kupën e Botës “The Pressure Game”, ka zgjuar reagime të shumta në Zvicër, për shkak se revista “WOZ” ka zbuluar skandalin e madh të komentatorit të njohur zviceran, Sascha Ruefer.
“Granit Xhaka është shumë gjëra, por nuk është zviceran”. Kjo është fjalia që thuhet të ketë thënë Sascha Ruefer, e cila është duke u cilësuar si tendencioze dhe raciste.
Ruefer është punonjësi i televizionit “SRF” që komenton lojërat e kombëtares zvicerane të futbollit prej vitesh. Përpos deklaratës së fundit, komentatori 51-vjeçar kishte kritikuar vazhdimit Xhakën edhe në të kaluarën.
Ai e kishte quajtur budalla Granitin kur kishte bërë simbolin e shqiponjës në ndeshjen ndaj Zvicrës në Kampionatin Evropian, ndërsa kishte hedhur kunja drejt tij edhe pas mbarimit të Kupës së Botës “Qatar 2022”.
“Budalla”, “budalla”, “budalla” ishte reagimi i komentatorit zviceran në transmetimin direkt të televizioni zviceran, pasi Granit Xhaka vendosi të festonte golin e tij duke bërë simbolin e shqiponjës.
Në një intervistë për “20 Minutes”, Ruefer kishte akuzuar përsëri Granit Xhakën për fanellën e Ardon Jasharit që e kishte mbajtur pas përfundimit të takimit me Serbinë.
“Jemi lodhur me këto gjëra, nëse djali im do ta bënte unë nuk do ta lejoja, edhe nëse do të isha trajner një gjë e tillë nuk do të kishte ndodhur”, ishte shprehur komentatori zviceran në raporton me Xhakën.
Në dokumentarin e kombëtares zvicerane “The Pressure Game” ku paraqitet rrugëtimi drejt Kupës së Botës, një pjesë i është ndarë komenteve kritike ndaj Xhakës.
Lidhur me kritikat e shumta ishte deklaruar vetë futbollisti Granit Xhaka dhe komentatori Ruefer.
Ai ishte përgjigjur me ironi duke e lënë në hije Xhakën në raport me skitarin e njohur zviceran, Beat Feuz.
Mes të tjerash, Reuefer thuhet ta ketë thënë deklaratën raciste ndaj Xhakës, por që më pas kishte kërkuar nga produksioni që ta largonin.
“Granit Xhaka është shumë gjëra, por nuk është zviceran”, është deklarata që 51-vjeçari ka kërkuar të largohet. Drejtuesit e kanalit televiziv SRF kanë pranuar që një deklaratë është fshirë, por nuk kanë treguar në detaje se për çfarë bëhet fjalë.
Revista javore “WOZ” e vlerësoi deklaratën si “tepër pretencioze – dhe raciste”.
Xhaka ka lindur në Bazel në vitin 1992 dhe ka përfaqësuar kombëtaren zviceran që nga mosha 15-vjeçare. Ai është kapiten i kombëtares dhe e ka udhëhequr atë drejt kampionateve evropiane dhe botërore tash e sa vite.