Futbollisti prishtinas, i cili kohë më parë kishte denoncuar në prokurori se ishte mashtruar nga disa persona se do ta dërgojnë për të luajtur në Holandë në këmbim të 100 mijë eurosh, është arrestuar. Gazeta Sinjali e ka zbuluar edhe identitetin e tij, Endrit Dervodeli.
Sipas kësaj gazete, futbollisti është në mesin e katër personave të arrestuar të arrestuar për falsifikim të parave dhe ata janë: Lend Maksuti dhe Redon Dervishi nga Gjilani dhe Apollon Morina e Endrit Dervodeli nga Prishtina. Ky grup qe një kohë ka qenë nën përcjellje të Drejtorisë Rajonale në Gjilan ndërsa sot është kapur duke u prangosur nga Policia. Sipas të njëjtave burime ende nuk dihet nëse kanë ndërlidhje dy rastet e futbollistit me njëra tjetrën.
Gjithçka u zbulua pas denoncimit të një zyrtari të bankës “Raiffeisen Bank” në Gjilan”, i cili para tri ditësh raportoi për dyshimet se një kartëmonedhë prej 100 eurosh që ishte deponuar në bankomat mund të ishte e falsifikuar. Kjo aktivizoi Policinë, me ç’rast u identifikua dhe intervistua personi që kishte deponuar paratë.
Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për pronarin e një argjendarie, i cili kishte deponuar qindra euro në bankomat, e në mesin e tyre ishte edhe një 100-she e falsifikuar. Kjo kartëmonedhë dhe disa të tjera që janë deponuar së fundmi në banka të ndryshme në Gjilan dyshohet se janë vënë në treg nga katër të arrestuarit.
Me rastin e arrestimit, me urdhër të Prokurorit dhe aprovim të gjyqtarit janë kryer edhe bastisje në shtëpitë e dy të dyshuarve nga Prishtina.
Pas arrestimit dhe mbledhjes së dëshmive që provojnë përfshirjen e katër të arrestuarve në këtë rast, të njëjtit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.