Dhuna dhe incidentet e shfaqura në turneun e Superkupës së Kosovës në basketboll, kanë alarmuar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) që pritet të reagojë fuqishëm ndaj dukurive negative në ndeshjet e basketbollit në palestra. Të dielën, përfundoi Superkupa e Kosovës, të cilën e fitoi Trepça, ekip që në finale triumfoi ndaj Pejës.
Megjithatë, turneu që pritej të ishte spektakël dhe të promovonte fuqishëm edicionin e ri në Superligë që nis këtë fundjavë, nxori në pah dhunën dhe urrejtjen. Në ndeshjen finale, pati incidente, të cilat detyruan zbrazjen e tribunës ku ishin të vendosur tifozët e Trepçës, ndërsa në gjysmëfinalen mes Pejës e Yllit, u zbraz tribuna ku ishin të vendosur tifozët pejan. Po ashtu, edhe ndeshja çerekfinale mes Trepçës e Bashkimit, u ndërpre për shkak të hedhjeve të gjësendeve në parket. E gjithë kjo ka bërë që FBK-ja, të paralajmëroj masa drastike për edicionin e ri.
Kështu, ka thënë kreu i FBK-së, Arben Fetahu të hënën për KOHËN.
“Situatat e krijuara gjatë ndeshjes finale mbrëmë nga individë te caktuar keqdashës, si pasojë e së cilave kemi të lënduar një gazetare sportive e cila pësoi gjatë kryerjes së detyrës së saj, na kanë detyruar që t’i shqyrtojmë sërish të gjitha masat në dispozicion për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve të garave tona. Ajo që mbase nuk është shfaqur në media, por që të gjithë akterët e ndeshjes e kanë përjetuar dje në Suharekë, ka qenë një shpërfaqje e papërshkrueshme dhe paarsyeshme e dhunës dhe urrejtjes të cilën e kishin të vështirë ta vejnë nën kontroll edhe organet e rendit. Është e sigurt që FBK nuk do të qëndroj duarkryq para skandaleve të tilla dhe që nuk do të lejoj që ndeshjet e basketbollit të shndërrohen në forume për shfaqjen e urrejtjes dhe dhunës, duke vënë në plan të dytë spektaklin sportiv, investimet e mëdha që po i bëjnë klubet tona dhe federata e basketbollit për të avancuar sportin më të dashur ndër kosovarë tash e sa vite. Është totalisht e papranueshme që sot, në ditën kur do duhej të flisnim për rezultatet sportive të arritura nga klubet tona, kur do duhej të analizonim ndeshjet dhe t’i kënaqeshim spektaklit të dhuruar nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse në këtë turne, ne të flasim vetëm për zhvillimet negative gjatë kësaj gare”, është shprehur Fetahu.
Fetahu garantoi se FBK-ja, në asnjë mënyrë nuk do të qëndroj duarkryq. Madje, ai ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që të ndalohen plotësisht tifozët për një periudhë të caktuar nga palestrat e basketbollit. E ky opsion do të diskutohet me organet kompetente dhe vendimi përfundimtar pritet të jepet ditëve në vijim. Edicionin e shkuar, FBK-ja pati ndaluar tifozët që në mënyrë të organizuar t’i përcillnin ndeshjet e basketbollit, ndërsa edhe udhëtimi nëpër ndeshjet në udhëtim ka qenë i ndaluar. Duket se në edicionin e ri, masat do të jenë edhe më të rrepta pasi FBK-ja, synon çrrënjosjen e dukurive të tilla nëpër palestrat e basketbollit.
“Si rrjedhojë FBK nuk do të tolerojë në asnjë rast cenimin e terrenit, hedhjen e gjësendeve në fushë e as sharjen, fyerjen e denigrimin e asnjë akteri të garave te basketbollit. Për me tepër, nga fillimi i garës se rë të shtunën në ndeshjet e basketbollit nuk do të tolerohet as sjellja e dhunshme dhe shpërfaqja e dhunës verbale dhe gjuhës së urrejtjes, ngase duhet t’i hapim rrugë të gjithë tifozëve të mirëfilltë dhe qytetarëve të përgjegjshëm të cilët në këto kushte që po krijohen nga individë të caktuar nuk mund ta shijojnë sportin tonë të zemrës. Në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet e vendit jemi duke shqyrtuar të gjitha masat e mundshme të cilat do t’i vendosim nga xhiroja e parë, përfshirë këtu ndalimin e tifozerive të organizuara, ndalimin e stërpopullimit të tribunave dhe terrenit por edhe ndalimin e plotë të pranisë së shikuesve nëpër palestrat tona për një periudhë të caktuar”, shtoi Fetahu. “Për vendimet përfundimtare do të njoftoheni ditëve në vijim. Siç ua kemi bërë te ditur klubeve të Superligës gjatë takimeve tona gjatë kësaj vere, në bashkëpunim me to do të punojmë në çrrënjosjen e dukurive negative në aktivitetet tona dhe do t’a vëmë në spikamë atë që është më e rëndësishmja – basketbollin cilësor të cilin ato po e zhvillojnë e kultivojnë pa dallim”.
Edicioni 2023/24 në elitën e basketbollit kosovar, do të startojë këtë vikend.