Federata e Futbollit të Rumanisë ka dalë me reagim publik pas vendimit të UEFA-s, për ndeshjen ndaj Kosovës.
Ata kanë mohuar thirrjet raciste në stadiumin ”Arena Nationala” më Bukuresht, e po ashtu edhe thirrjet ”Kosova është Serbi”.
FRF i ka konsiderouar si të pabazuara akuzat e bëra nga pala kosovare.
”Federata Rumune e Futbollit (FRF) shpreh zhgënjimin e saj më të thellë për sjelljen e delegacionit të Kosovës dhe lojtarëve të saj gjatë ndeshjes së fundit të Ligës së Kombeve.
Ne i konsiderojmë të pabazuara akuzat e bëra nga pala kosovare dhe besojmë fuqishëm se veprimet e tyre ishin të paramenduara. Përkundër kësaj, FRF shpreh mirënjohjen e saj për gati 50.000 tifozët rumunë të pranishëm në stadium për qëndrimin e qytetëruar dhe për mos reagimin sa më shumë ndaj provokimeve të lojtarëve kosovarë.
Është e rëndësishme të theksohet se gjatë ndeshjes nuk ka pasur thirrje raciste dhe as një herë nuk është brohoritur slogani “Kosova është Serbi”. Për më tepër, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithëve vendimin e marrë nga Komiteti Disiplinor i UEFA-s lidhur me një incident të ngjashëm gjatë një ndeshjeje të vitit të kaluar, ku Kosova ka vepruar në të njëjtën mënyrë. Në vendim thuhej qartë se slogani “Kosova është Serbi” nuk mund të klasifikohet si racist dhe, për rrjedhojë, nuk mund të nxisë procedurën me tre hapa. Këtë pikë e ka përsëritur edhe delegati i UEFA-s gjatë takimit teknik para ndeshjes së fundit të mbrëmjes.
Na vjen keq që një ekip futbolli do të zgjidhte të largohej nga fusha dhe të tërhiqej në dhomat e zhveshjes vetëm dy minuta para fishkëllimës së fundit, duke qenë se rezultati nuk ishte i favorshëm për të. Ky veprim tregon mungesë respekti për sportin dhe mospërfillje të plotë për lojën e ndershme.
Lidhur me incidentin e supozuar në konferencën për media pas ndeshjes të përmendur nga Federata e Futbollit të Kosovës, e mohojmë kategorikisht ndodhjen e tij. Asnjë zyrtar i FRF-së nuk u përfshi dhe në fakt ishte delegacioni i Kosovës ai që nisi një konfrontim me gazetarët rumunë.
FRF beson fuqishëm se futbolli mbart vlera që ndikojnë pozitivisht në shoqëri dhe ka fuqinë për të dhënë shembuj për brezat e ardhshëm. Fatkeqësisht, sjellja e delegacionit të Kosovës, e veçanërisht e lojtarëve të saj, në Bukuresht shërben si shembull “si të mos veprohet” në sportin profesional.
Ne presim vendimin e UEFA-s për këtë çështje. Megjithatë, duke pasur parasysh refuzimin e Kosovës për të përfunduar ndeshjen në fushë dhe largimin e tyre në dhomat e zhveshjes pa miratimin e arbitrit, mund të ketë vetëm një rezultat të përafruar me parimet e lojës.”, thuhet në reagimin e Federatës së Futbollit të Rumanisë.