Feronikeli 74 ka regjistruar fitore të madhe dhe e ka shokuar të mërkurën kampionen në fuqi, Dritën.
Në xhiron e pestë të Superligës së Kosovës në futboll, skuadra nga Drenasi e mposhti atë të Gjilanit me rezultatin 1:0.
Golin e fitores në ndeshjen që u luajt në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, e shënoi Avni Selmani, dy minuta pasi nisi pjesa e dytë. Për të ishte goli i dytë i sezonit.
Feronikeli 74 i udhëhequr nga trajneri Elon Berisha e shënoi fitoren e parë në këtë sezon. Tani i ka tri pikë pas pesë ndeshjeve dhe zë vendin e nëntë, përkatësisht të parafundit. Nga tri pikë i kanë edhe Llapi e Drenica.
Drita e udhëhequr nga trajneri Ardian Nuhiu e pësoi disfatën e parë të sezonit. Nuhiu, që e zëvendësoi Zekirija Ramadanin në postin e trajnerit, u eliminua fillimisht nga plejofi i Ligës së Konferencës, e mposhti Vushtrrinë dhe barazoi me Drenicën.
Tani zë vendin e gjashtë me 7 pikë, por me një ndeshje më pak të luajtur, atë ndaj Prishtinës.
