Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka alarmuar për një grup interesi që po përpiqet të marrë kontrollin mbi FFK-në.
Në një letër dërguar mediave, FFK-ja ka akuzuar disa mediume dhe një grup të vogël interesi për puç ndaj udhëheqësisë aktuale të Federatës.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në letrën dërguar Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Asociacionit të Gazetarëve (AGK) dhe Shoqatës së Gazetarëve Sportiv (SHGSK), ka thënë se disa emisione dhe mediume kanë agjendë të hapur kundër FFK-së.
“Mediumet dhe emisionet e tilla janë shndërruar në platforma të promovimit të individëve që nuk kanë asnjë lidhje me futboll dhe janë pa integritet profesional e moral dhe të cilët kanë agjendë të hapur kundër Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Kombëtares së Kosovës në Futboll”, thuhet në letër.
“Dhënia e hapsirës për individë që në asnjë formë nuk kanë asnjë lidhje me futbollin, promovimi i një fushate të tillë kundër Federatës së Futbollit të Kosovës, ofendimet dhe linçimet publike, shpërfaqin haptasi, unifikimin e disa mediumeve e emisioneve sportive, dhe të një grupi të vogël interesi, rreth qellimit të tyre të vetëm, që në mënyrë jo legjitime, por nga studiot televizive të marrin kontrollin mbi Federatën e Futbollit të Kosovës”, ka thënë FFK-ja, në letrën e ankesës dërguar KPM-së dhe dy shoqatave të gazetarëve.