Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, në të cilin delegatët votuan për një sërë ndryshimesh statutare, me qëllim që statuti i FFK-së të jetë në përputhje të plotë me statutet e UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe me Ligjin e ri të Sportit të Republikës së Kosovës.
Në këtë kuvend morën pjesë 50 delegatë, ndërsa të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan unanimisht. Mes tyre u votua edhe për përfaqësuesin e futbollistëve, Samir Ujkani, si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
Presidenti Agim Ademi, në fjalën e tij para delegatëve, u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin dhe unitetin e treguar:
“Delegatë të nderuar, ju falënderoj që ju keni përgjigjur ftesës për Kuvend. Nuk e di pse, por sa herë ka kuvend unë ndihem i lumtur. Ky kuvend ma zgjon një ndjenjë se FFK është shumë e fuqishme. Kur juve ju shoh këtu si delegatë nga sfera të ndryshme të jetës që jepni shumë dhe keni sukses, e shoh që futbolli është në duar të sigurta. Jam shumë falënderues që ma keni besuar këtë bagazh mua. Do të vazhdojmë sigurisht bashkë për sa kohë që këtu jemi në të mirë të futbollit. Ju falënderoj edhe ju Komitet Ekzekutiv që jeni gjithmonë të gatshëm të kontriboni për zhvillimin e futbollit dhe ndani këtë barrë të madhe së bashku me mua”, tha presidenti Ademi në fjalën e tij.
Ai pas votimit të ndryshimeve statutare falënderoi delegatët unitetin dhe kompaktësinë që kanë treguar në të gjitha kohërat. ”E thanë edhe përfaqësuesit e UEFA-s e FIFA-s se futbolli gjithkund në botë duhet të jetë unik për të shkuar përpara. Tashmë të gjitha klubet dhe ne si FFK jemi në harmoni me Ligjin e Sportit dhe me statutet e UEFA-s e FIFA-s”.
Punimet e kuvendit, në emër të presidentit të FIFA-s Gianni Infantino dhe Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafström i përshëndeti Marco Ferri, koordinator rajonal i FIFA-s. Ai theksoi bashkëpunimin e frytshëm me FFK-në dhe vuri në pah sukseset e kombëtares së Kosovës:
“Jemi mbledhur këtu për një kuvend të jashtëzakonshëm për ndryshimet statutore dhe tema të ndryshme. Kemi pasur një bashkëpunim shumë konstruktiv me FFK-në për ndryshimet statutore. Ne në FIFA e kemi çmuar transparencën që ka treguar Federata juaj dhe jemi të kënaqur që propozimet tona për ndryshime janë marrë parasysh. Besoj se ky bashkëpunim paraqet një shembull të ri të një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm mes FFK-së dhe FIFA-s gjatë viteve të fundit”, tha ai.