Klubi i futbollit Novi Pazar ka marrë konfirmimin zyrtar nga UEFA se i plotëson të gjitha kushtet për të marrë pjesë në Ligën e Konferencën sezonin e ardhshëm, që paraqet një sukses historik për klubin boshnjak nga Sanxhaku.
Klubi ka kaluar nëpër sfida të ndërsjella ligjore dhe administrative pasi u suspendua nga Federata e Futbollit të Serbisë më shumë se tre vjet më parë për shkak të dyshimeve për trukime ndeshjesh kundër Radnikut nga Surdulica, transmeton Ballkani.info.
Megjithatë, falë punës së përkushtuar të ekipit ligjor dhe dokumentacionit që ata paraqitën në UEFA, Komiteti i Etikës i UEFA-s i ka dhënë lejen Pazarit për të marrë pjesë në kualifikueset evropiane.
Sipas deklaratës së klubit, UEFA ka vlerësuar pozitivisht raportet e inspektorëve të etikës dhe disiplinës dhe ka rekomanduar që Novi Pazari të marrë pjesë në kompeticionin e tretë më cilësor evropian.
Novi Pazari, i cili përfundoi i treti në Superligën e Serbisë, do të debutojë në garat evropiane më 24 korrik, ndërsa shorti për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës është caktuar për më 18 qershor. /Ballkani.info/