Austria do të përballet me Kosovën në Vjenë më 27 shtator, në kuadër të Ligës B të Ligës së Kombeve.
Por Franco Foda është i bindur se Kosova do të jetë si në shtëpi kundër Austrisë në Vjenë.
Në Grupin 3 të Ligës B janë edhe Izraeli dhe Irlanda.
Më këtë të fundit, “Dardanët” debutojnë në Ligën B. Kosova e pret Irlandën më 24 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Selektori i Kosovës, Foda, pret që ndaj Austrisë, përfaqësuese të cilën e ka udhëhequr më parë, “Dardanët” të kenë përkrahjen e rreth 15 mijë shqiptarëve.
“Kjo do të jetë një ndeshje në shtëpi për ne, sepse jemi të sigurt se 10 mijë ose 15 mijë kosovarë do të na mbështesin në Vjenë”, ka thënë Foda në një intervistë për “Sky”.
Kosova kishte përkrahje të madhe në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026, në udhëtimet në Suedi e Zvicët e sidomos ndaj Sllovenisë në Lubjanë.
Interesimi i shqiptarëve për ta përkrahur Kosovën është i madh edhe për ndeshjen që Kosova do ta zhvillojë në mars kundër Sllovakisë në Bratislavë.
Stadiumi Nacional në Bratislavë, ku luhet ndeshja, ka kapacitet prej 22 mijë e 500 ulëseve.
Foda ka përmendur Vjenën si qytetin ku do të luhet ndeshja ndaj Kosovës. Por në mediumet e Austrisë bëhet e ditur se vendi ende nuk është konfirmuar.
Foda e drejtoi Austrinë në 48 ndeshje, nga nëntori i vitit 2017 deri në mars të vitit 2022, duke arritur prej 27 fitore, gjashtë barazime dhe 15 humbje.
Arritja më e madhe e Austrisë me Fodan ishte kalimi në 16 më të mirat e Evropianit 2021. Austria u eliminua pas kohës shtesë nga Italia në atë fazë.
Foda ka theksuar se ndeshja do të jetë me ndjenja të përziera.
“Austria nuk ishte preferenca ime e parë. Ajo ka cilësi të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, mezi pres t’i shoh sërish ish-lojtarët e mi”, ka theksuar Foda.
Foda edhe Kosovën e ka drejtuar në mënyrën më të mirë të mundshme deri më tani.
Nën drejtimin e tij, Kosova siguroi paraqitjen për herë të parë në Ligën B të Ligës së Kombeve, kurse në mars do të paraqitet në plejofin për Kupën e Botës.
