Shkuarja në Rumani duhet të jetë me energji pozitive dhe shumë pasion.
Ky ka qenë mesazhi i përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, në konferencën për media para ndeshjes më të rëndësishme të këtij edicioni në Ligën e Kombeve kundër Rumanisë në Bukuresht, që zhvillohet të premten. Përkundër mungesave të shumta në këtë grumbullim si pasojë e lëndimeve të disa lojtarëve gjatë fundjavës, Foda është shprehur optimistë se Dardanët nga ky udhëtim mund të kthehen me rezultat pozitiv.
“Vendi i parë akoma është i mundshëm por për ta arritur këtë duhet ta fitojmë ndeshjen me Rumaninë. Në tri ndeshjet e fundit kemi treguar lojë të mirë, jam përgjithësisht i kënaqur, por jo edhe tepër i kënaqur, sepse është dashur të përmirësohemi dhe të shënojmë më shumë gola. Për shkak të lëndimeve duhet t’i bëjmë disa përshtatje në ekip, por nisemi me vetëbesim dhe energji shumë pozitive në Rumani. Jemi të gatshëm dhe dëshirojmë të fitojmë. Pastaj, mbetet të shihet në ndeshjet e fundit se kush do të jetë në pozitën e parë në grup”, theksoi Foda.
Ai tha se nuk sheh shumë probleme tek mesfusha, sepse ka në dispozicion shumë lojtarë të mirë. “Sigurisht se Rumania ka kualitetet e veta, por edhe Kosova i ka kualitetet dhe do t’i shfrytëzojë. Me rëndësi është të shkojmë me energji pozitive dhe me shumë pasion atje”, shtoi ai.
Serinë prej tri fitoreve ai e ka vlerësuar shumë të rëndësishme, por ka thënë se nuk duhet të shikohet e kaluara. “Gjithsesi, tri fitoret e fundit ishin të rëndësishme. Ishte e bukur për vendin, për lojtarët dhe për vetëbesimin. Por futbolli nuk jeton në të kaluarën, por në të tashmen. Prandaj, ndeshja e ardhshme kundër Rumanisë është më e rëndësishmja. Aty duhet të tregojmë performancën tonë në fushë. Në Rumani mund të fitojmë vetëm nëse çdo lojtar jep 100% dhe shkon deri në limitet e tij”, tha Foda.
Në këtë grumbullim do të mungojnë Milot Rashica, Ermal Krasniqi, Emir Sahiti, Bersant Celina dhe Leart Paqarada. Megjithatë, Foda tha se përkundër faktit që këto janë mungesa të rëndësishme, lëndimet janë pjesë e futbollit dhe se ky është një moment ku u jepet hapësira lojtarëve të rinj.
“Fatkeqësisht, kemi disa lojtarë të lënduar. Leart Paqarada, Emir Sahiti, Ermal Krasniqi, Milot Rashica dhe Bersant Celina nuk do të jenë në dispozicionin tonë. Megjithatë, dje u këshilluam me stafin e trajnerëve dhe zgjodhëm dy lojtarë të rinj: Art Smakaj dhe Zymer Bytyqi, derisa për herë të parë në ekip janë përfshirë edhe dy lojtarë të rinj, Leard Sadriu dhe Baton Zabërgja”, tha Foda.
Ai tutje ka thënë se sot një pjesë e ekipit do të stërvitet në fushë, e një në palestër.
“Sot do të stërvitemi në dy grupe: lojtarët që kanë luajtur të premten dhe të shtunën do të stërviten në stadium, ndërsa të gjithë lojtarët që ishin aktivë të dielën do të stërviten këtu në hotel, me të cilët do të zhvillojmë një program rigjenerimi. Duke filluar nga nesër, do të përgatitemi me ekipin e kompletuar për ndeshjen e parë të premten kundër Rumanisë.
Foda tha se Kosova ka potencial për t’u përmirësuar ende dhe vazhdimisht është në kërkim të lojtarëve të rinj.
“Po sigurisht Kosova ka shumë lojtarë që luajnë në ekipe e në vende të ndryshme. Sigurisht se do ta mbajmë kontaktin edhe me lojtarë që kanë potencial për të luajtur me Kosovën. Do ti mbajmë sytë hapur. Jam i bundur se ka shumë talente dhe do t’i gjejmë. Tashmë disa të rinj veçse janë këtu”, tha ai.
Sa i përket mosgrumbullimit të Vesel Demakut, i cili së fundmi i tha ‘Po’ Kosovës, Foda vuri në pah se çështja ka të bëjë me mos kompletimin e dokumentacioneve për nënshtetësinë e Kosovës.
I pyetur nëse Kosova do të luajë sërish futboll ofanzivë kundër Rumanisë, Foda u shpreh: “Do të mbetet të shihet. Do t’i bëjmë disa ndryshime në ekip pasi kemi të lënduar. Por përgjithësisht do të jemi ofanzivë. Duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha fazat e lojës. Kundër Rumanisë në ndeshjen e parë nuk kemi pasur fat. Në momentet e vështira kemi pësuar gol. Parimisht do të luajmë si në shtëpi si jashtë, pra me lojë ofanzive”.
Sa i përket Eliot Bujupit tha se me kërkesë të përzgjedhësit të Kombëtares U19, Adil Maliqi, ai do të luajë në ndeshjen e parë kualifikuese te U19 të mërkurën, e më pas do të shihet se si do të veprohet.
I pyetur nëse do të luajë me dy sulmues pas rikthimit të Vedat Muriqit, Foda ka theksuar: “Nuk është shumë me rëndësi nëse do të luajmë me një, dy sulmues apo me tre. Me rëndësi të qëndrojmë të gjithë së bashku, të sulmojmë së bashku dhe të mbrohemi së bashku. Ne jemi shumë fleksibil, mund të luajmë me një sulmues, dy apo tre. Rëndësi ka të luajmë në bazë të parimeve tona. Të luajmë të bashkuar për njëri-tjetrin dhe kur humbasim topin ta rikuperojmë. E kemi parë në ndeshjet e fundit që ekipi është zhvilluar tutje, jemi shumë dominant në lojë, por ka hapësira ku mund të përmirësohemi. Nuk duhet të jemi kurrë të kënaqur plotësisht. Duhet të shkojmë përpara dhe të përmirësohemi dhe të qëndrojmë të uritur për sukses”, përfundoi Foda.