Ballistët, tifogrupi që mbështet Shkëndijën e Tetovës, ka bërë një reagim të shkurtër në lidhje me skenat e turpshme të ndodhura në duelin e Kupës së Maqedonisë mes Shkupit dhe Shkëndijës.
Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e nëntë. Avantazhi i Shkëndijës nuk u prit mirë nga pjesëtarë të Shvercerave, grupimit që mbështet kampionët në fuqi të Maqedonisë së Veriut.
Ultrasit kryeqytetas sulmuan lojtarët e ekipit mik, fusha u përfshi nga skena të frikshme, ndërkohë që nuk mungoi zbarkimi i forcave speciale për të rikthyer qetësinë në vend.
Ndeshja u ndërpre dhe është marrë vendimi zyrtar që të mos luhet, teksa “Ballistët” shkruajnë këto radhë në faqen e tyre zyrtare:
“100 ZOGJ PULASH KUNDËR 1 LUANI !!! PËR 30 MINUTA NISEMI ME VETURA PRIVATE DHE TAKOHEMI TEK PIKPAGESA E ZHELINËS !!!
TI PRESIM DJEMT E SHARRIT MASOVIKISHT!!! SHKËNDIJA MË SHUMË SE NJË KLUB !!!”, lexohet në postimin e Ballistëve, të cilët kanë zgjedhur një frazë të artistit Unikkatil dhe në të njëjtën kohë ftojnë anëtarët të dalin të presin lojtarët e ekipit të zemrës.
Skenat e dhuruara në ndeshjen mes dy skuadrave më të forta shqiptare të Maqedonisë së Veriut, janë kthyer virale në rrjetet sociale. Dy tifozeritë kanë inate të vjetra, por ajo që ndodhi sot kaloi çdo limit dhe nuk justifikohet.