Marrë shkas nga dokumenti i publikuar në media, ftesa që FSHF ka dërguar për futbollistin kosovar të klubit zviceran Leon Avdullahu, logjikisht ngrihet dilema për sjelljen dhe lojën e ndyrë të Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila shkel mbi çdo parim, vlerë apo normë, në përpjekjen e saj për të vjedhur futbollistët nga Kosova.
Një veprim kaq perfid vjen vetëm pak kohë pasi futbollisti Avdullahu ka pasur takim me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, pasi ka realizuar dhjetëra telefonata me përzgjedhësin e Kosovës, Franco Foda, dhe kur është ende në dilemë mes Zvicrës dhe Kosovës.
Përveçse është një akt i pamoralshëm dhe një tjetër thikë pas shpine për Kosovën, ky është edhe një veprim i paprecedentë që bie ndesh me vetë rregulloret e FIFA-s. FSHF i ka dërguar ftesë zyrtare një futbollisti që:
• Nuk ka pasaportë apo shtetësi shqiptare;
• Nuk është në pritje të një dokumenti të tillë;
• Nuk ka as prejardhje nga Shqipëria në aspektin ligjor.
Ky veprim vetëm sa e shfaq më haptazi politikën tashmë të njohur të FSHF-së – një politikë që shkel çdo normë etike, morale dhe ligjore në përpjekjen për të gllabëruar futbollistët e Kosovës.
Si do të reagonte ajo “kokë e ndritur” brenda FSHF-së që mori vendimin për të dërguar këtë ftesë, nëse ky rast do të shërbente si bazë për një padi ligjore nga FFK apo Federata e Futbollit të Zvicrës në FIFA kundër FSHF-së? Sepse baza ligjore ekziston: një ftesë zyrtare i është dërguar një futbollisti që nuk ka asnjë lidhje ligjore me Shqipërinë.
Si do të shihej ky veprim në një tribunal ndërkombëtar? Në fakt, deri para pranimit të FFK-së në UEFA dhe FIFA në maj 2016, ishin vetë zyrtarët e FFK-së që duke besuar në lidhjet vëllazërore mes shteteve dhe federatave, u bënin thirrje të gjithë futbollistëve nga Kosova që t’i bashkoheshin Shqipërisë.
Pas pranimit të FFK-së, u mendua se natyrshëm FSHF do të tërhiqej nga veprime të tilla dhe nuk do të ishte më pengesë për ndërtimin e kombëtares së Kosovës. Por kjo shpresë u zbeh shumë shpejt. Në shtator të vitit 2018, FSHF e sulmoi direkt kombëtaren e Kosovës, duke nisur kontakte të hapura me kapitenin e atëhershëm të ekipit U-21, Ardian Ismajli, që më pas iu bashkua Shqipërisë vetëm dy muaj më vonë.
Krahas tij, Shqipëria mori drejtpërdrejt nga ekipi kombëtar i Kosovës Kastriot Dërmakun, dhe “gjuetia e shtrigave” vazhdoi me një numër tjetër të futbollistëve që kishin qenë pjesë e Kosovës, si: Medon Berisha, Adrion Pajaziti, Mirlind Daku, Arbnor Muja, Arbër Hoxha, e deri te rasti i kapitenit të U-21 të Kosovës, Etnik Brruti, që në mars të këtij viti (pak kohë pasi kishte deklaruar përkushtimin për Kosovën) ra në grackën e FSHF-së përmes premtimeve të rreme.
Ajo që opinioni nuk di, është se “vëllezërit” nga Shqipëria nuk ndalën as aty. Përveç Leon Avdullahut, “kryepatrioti” dhe “Skënderbeu” i ditëve moderne, Alban Bushi, i është vërsulur një tjetër kapiteni të U-21 të Kosovës, mbrojtësit Diar Vokrri.
Të gjithë këta futbollistë, në një mënyrë apo tjetër, u përdorën dhe u hodhën tutje për interesa momentale. Disa u mashtruan me fjalë për patriotizëm, disa të tjerë me premtime për minuta loje, e disa me premtime për transferime në klube italiane apo evropiane, vetëm për t’u përdorur si vegla dhe për të penguar fuqizimin e kombëtares së Kosovës. Dhe fuqizimi i Kosovës, duket se po u pengon më shumë “vëllezërve” sesa armiqve të vjetër.
Por çfarë ndodhi me ata futbollistë më pas?
Ku përfunduan? Ku janë sot ata që u përdorën në “fitoren” ndaj Armenisë më 2015, që i dha Shqipërisë kualifikimin historik në Euro 2016? A u shpërblyen me ndonjë post drejtues në FSHF apo në ekipet kombëtare yjet si Lorik Cana, Besnik Hasi, Ermir Lenjani, Valdet Rama, Shkëlzen Gashi e shumë të tjerë që u hodhën në fushë, dhanë djersë dhe më pas u harruan si leckat që nuk duhen më? Ku mbeti “vëllazëria”? Ku mbeti ideali kuq e zi? Ku mbeti slogani “jemi një”? Ata u tretën si të mos kishin ekzistuar kurrë. Pse dikujt në Shqipëri i pengon një Kosovë e fortë? Pse i shqetëson ata, që FFK po ndërton një ekip të denjë për kompeticione botërore? Në këtë situatë, prej kujt duhet të ruhet më shumë Kosova?
Nga Zvicra, Gjermania, Austria, apo nga Shqipëria “vëllazërore”, që do duhej të ishte përkrahësja më e madhe? Ndërkohë që FSHF merret me luftëra të padukshme dhe dërgon ftesa të turpshme, kampionati shqiptar është shndërruar në strehë për afrikanë, brazilianë dhe futbollistë pa cilësi. Sic ishte rasti në ndeshjen e djeshme mes Bylisit dhe Tiranës, nga 22 futbollistët në fushë, 15 ishin të huaj! Ky fenomen ka përfshirë edhe ekipet e grupmoshave, ku po rriten më shumë lojtarë të importuar se sa talente vendas. Prandaj, ndoshta ky duhet të jetë shqetësimi real i FSHF-së: të prodhojë futbollistë, jo të turpërohet duke u dërguar ftesa lojtarëve që nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë, as në kontakt, as në dokumente, as në rrënjë.
