Boksieri Tyson Fury do ta mbrojë titullin e botës në kategorinë e rëndë në versionin WBC kundër britanikut tjetër, Derek Chisora. Dueli zhvillohet në Londër më 3 dhjetor.
Do të jetë lufta e parë e Furyt të pamposhtur, që nga nokautimi i boksierit tjetër britanik, Dillian Whyte, para 94.000 shikuesve në “Wembley” të Londrës në muaj prill. Pas atij dueli Fury tha se do të tërhiqej nga boksi profesionist.
Fury është joshur të kthehet në ring duke shpresuar të përballet me ukrainasin Oleksandr Usyk, pronar i brezave të kampionit në versionet WBA, WBO dhe IBF në një duel për unifikim të titujve të kampionit. Ai ka shpresuar po ashtu të luftojë kundër Anthony Joashuas, yllit tjetër britanik.
Fury megjithatë, i është drejtuar Chisoras, të cilin e ka mundur tashmë dy herë. Ka fituar me vendim unanim në vitin 2011, për të fituar titujt e Britanisë dhe Komonuelthit në vitin 2014, pas tërheqjes së Chisoras në raundin e dhjetë.
Lufta e tretë mes Furyt dhe Chisoras do të zhvillohet në stadiumin e Tottenhamit, ku Usyk mundi Joshuan vitin e kaluar.
Promotori i Furyt, Frank Warren, tha se Usyk tashmë është rreshtuar për t’u përballur me luftëtarin e tij në vitin 2023.
“Tysoni nuk mund të përballojë asnjë gabim në këtë luftë”, tha Warren. “E them këtë për shkak se ai ka meçin për unifikim të titujve kundër Usykut në vitin tjetër. Përballjen me Usykun po e presim me padurim”.
Dueli vjen pas kolapsit të negociatave për një përballje të mundshme me Anthony Joshua në fillim të këtij muaji, me promotorin Warren që këmbëngul se kjo ishte lufta më e fortë që ofrohej për Furyn.
“Në fakt ne prisnim të ishte Usyku kundërshtari i dhjetorit, por ai na e bëri me dije se nuk mund të bëhej gati deri atëherë. U munduam me Joshuan, por nuk pati një marrëveshje. Deontay Wilder, luftoi gjatë fundjavës, nuk ishte në dispozicion”, u shpreh Warren.
Stadiumi i Tottenhamit është i lirë për të organizuar meçin sepse Premier League do të jetë në pushim për më shumë se një muaj para Krishtlindjeve për shkak të Kampionatit Botëror “Katari 2022”, turne që nis më 20 nëntor.
Chisora (33-12, 23 KO), ka sfiduar edhe një herë titullin në kategorinë e rëndë. Në vitin 2012 humbi nga Vitali Klitschko në Munih me vendim unanim.
Ai vjen nga një fitore me pikë ndaj Kubrat Pulevit në korrik, e cila pasoi humbjet radhazi nga Joseph Parker. Fury ka fituar 32 nga 33 meçet e tij profesionale, duke barazuar një herë kundër amerikanit Deontay Wilder. Ndodhi kjo në përballjen e parë të trilogjisë së tyre.