Kupa e Botës në futboll është një nga manifestimet më të mëdha të identiteteve kombëtare dhe ndjenjave patriotike në mbarë botën. Por futbolli në një botë të globalizuar, shpërfaq edhe migrimin e njerëzve, qoftë për arsye lufte, familjare apo për qëllime sportive. Kjo është arsyeja pse nuk është e pazakontë që disa nga skuadrat që konkurrojnë në Kupën e Botës të kenë lojtarë që nuk kanë lindur në vendin që përfaqësojnë apo që nuk kanë fare trashëgimi gjaku nga ai komb.
CNN-i spanjoll ka listuar 11 lojtarët më të shquar, të cilët luajnë për kombe nga të cilat nuk kanë prejardhjen, duke përfshirë këtu edhe sulmuesin kosovar, Xherdan Shaqirin, i cili përfaqëson kombëtaren e Zvicrës.
Edouard Mendy, Senegal
Portieri i suksesshëm i Chelseat është anëtar i kombëtares së Senegalit, prej nga e ka prejardhjen edhe nëna e tij. Babai i tij është nga Guinea-Bissau.
Por Mendy ka lindur në Montivillier, Francë.
Ai mund të kishte luajtur për ndonjë nga tre skuadrat dhe madje të luante miqësore me Guinea-Bissau. Por më në fund bëri debutimin e tij në Senegal më 2018.
Kushëriri i tij, Ferland Mendy, lojtar i Real Madridit, luan për kombëtaren franceze.
Fernando Muslera, Uruguai
Portieri Fernando Muslera ka lindur në Buenos Aires në vitin 1986. FIFA thotë se ai lindi menjëherë pas golit të argjentinasit Pedro Pablo Pasculli kundër Uruguait në Kupën e Botës, që nënkuptonte eliminimin nga turneu në Meksikë.
Tetë muaj më vonë, familja e tij u kthye në Uruguai dhe ai është plotësisht uruguaian.
“Me gjithë respektin e duhur, pasaporta ime thotë kombësia argjentinase, por ndjenjat e mia janë qind për qind uruguaiane”, tha ai për FIFA-n.
Ai është një idhull i Galatasarayt turk dhe ka fituar tituj edhe me Lazion. Me Uruguain ai ishte kampion në vitin 2011, në Kupën e Amerikës.
Pepe, Portugali
Është një nga rastet më të njohura. Képler Laveran Lima Ferreira ka lindur në vitin 1983 në Maceió, Brazil dhe e filloi karrierën e tij në Corinthians Alagoano.
Në moshën 18-vjeçare, mbrojtësi u nënshkrua nga Martítimo de Madeira. Më pas ai shkoi në Sporting dhe më pas në Porto, ku ishte një figurë.
Ai u bë shtetas portugez në vitin 2007 dhe po atë vit debutoi me ekipin evropian, duke mos u përzgjedhur asnjëherë në kategoritë e të rinjve të Brazilit.
Ai u bë legjendë me Real Madridin dhe me Portugalinë ka luajtur në Kupat e Botës 2010, 2014 dhe 2018. Pavarësisht moshës së tij, ai u thirr për Katar 2022.
Sergiño Dest, SHBA
Mbrojtësi amerikan, lojtar i Milanit, ka lindur në Almere të Holandës.
Nëna e tij është holandeze dhe babai amerikan, shkuan CNNespanol, transmeton Klankosova.tv.
Ai luajti në akademinë e Almerece City FC dhe kaloi te Ajax. Dest u nënshkrua nga Barcelona në vitin 2020.
Pavarësisht se u rrit në Holandë, në vitin 2019 ai vendosi për ekipin amerikan dhe me atë fanellë luajti në Kupën e Botës U-17.
Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Holanda u lanë jashtë Kupës së Botës 2018.
Alphonso Davies, Kanada
Davies është një nga yjet e Bayern Munich dhe një nga lojtarët më të shquar të Amerikës së Veriut në dekada. Por historia e tij personale është gjithashtu një arritje e pashembullt.
Historia e 22-vjeçarit filloi në një kamp refugjatësh në Ganë, ku ai lindi nga prindër liberianë që ikën nga lufta civile në vendin e tyre. Kur ai ishte pesë vjeç, Davies dhe familja e tij u larguan nga kampi i refugjatëve Buduburam dhe u transferuan për të filluar një jetë të re në Edmonton, Kanada.
Talenti i tij i jashtëzakonshëm bëri që Major League Soccer’s Vancouver Ëhitecaps të përpiqej ta rekrutonte atë kur ai ishte vetëm 14 vjeç dhe Davies pothuajse nuk shkoi. Nëna e tij, Victoria, hodhi poshtë ofertën e Vankuverit, duke besuar se djali i saj nuk ishte aq i rritur sa të largohej nga shtëpia. Por nëna ndryshoi mendje dhe Alphonso pati një rritje meteorike. Në moshën 16-vjeçare ai u bë shtetas kanadez dhe po atë ditë u thirr në ekipin kombëtar.
Mateo Kovaçiq, Kroaci
Mesfushori Mateo Kovaçiq ka lindur në Linz të Austrisë nga prindër kroatë të Bosnjës dhe ka luajtur për LASK në atë qytet si fëmijë. Familja e tij ishte larguar nga Bosnja në mes të luftërave jugosllave.
Në moshën 13-vjeçare familja e tij u transferua në Zagreb, Kroaci, ku Mateo u rekrutua nga Dinamo.
Aktualisht është lojtar i Chelseat. Ai luajti në Kupat e Botës 2014 dhe 2018, në të cilat ishte nënkampion.
Eduardo Camavinga, Francë
Eduardo Camavinga ka lindur në një kamp refugjatësh në Angola, siç është regjistruar nga UNHCR. Prindërit e tij janë kongolezë.
Mesfushori, sot një yll i Real Madridit, filloi në Stade Rennes Football Club, në Francë.
Ai është pjesë e kombëtares së Francës në kategorinë U-21 dhe në moshën 17-vjeçare – kur u bë shtetas – ishte lojtari dhe golashënuesi më i ri në Francë që nga viti 1945.
Xherdan Shaqiri, Zvicër
Një tjetër i njohur në Botëror. Ai ka qenë përfaqësues i Zvicrës në vitet 2010, 2014 dhe 2018 dhe tani po shkon në Botërorin e tij të katërt.
Ai lindi në Gjilan, nga prindër shqiptarë – kosovarë, në vitin 1991. Prindërit e tij u larguan për në Zvicër një vit më vonë, përpara se – shtatë vjet më vonë – forcat serbe të kontrolluara nga Sllobodan Millosheviqi të nisnin një fushatë të spastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës, e cila rezultoi në të paktën 10,000 vdekje dhe zhvendosje të qindra mijërave.
Futbollisti është përjetësisht mirënjohës ndaj vendit të tij të adoptuar për sigurinë e familjes së tij (ai ka tre vëllezër) me një mjedis të sigurt për t’u rritur, dhe ai lavdëron shokët e tij të shkollës për lehtësinë e integrimit të tij në shoqërinë zvicerane.
Edukimi i tij ka rezultuar në një qasje të shumëanshme gjuhësore dhe kulturore ndaj jetës, ndoshta e përmbledhur më së miri nga Shaqiri që ka vënë flamujt e Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës në atletet e tij.
“Unë jetoj mentalitetin zviceran, por edhe mentalitetin kosovar, sepse kur shkoj në shtëpi, flas shqip. Unë i jetoj të dyja mentalitetet, kështu që për mua nuk është një ndryshim i madh”, tha ai për CNN në vitin 2015.
Në Kupën e Botës 2018 ai festoi një gol në mënyrë të diskutueshme duke bërë shqiponjën dykrenarëshe të flamurit shqiptar, në një ndeshje kundër Serbisë që përfundoi 2-1. Golashënuesi tjetër për Zvicrën në atë ndeshje ishte po ashtu një djalë i shqiptarëve nga Kosova, Granit Xhaka, i cili po ashtu është thirrur nga Zvicra edhe në Katar 2022. Ndërkohë, vëllai i Xhakës, Taulant Xhaka, ka luajtur për kombëtaren shqiptare.
Ansu Fati, Spanjë
Ai është një nga më premtuesit e Spanjës dhe rikthehet në kombëtare pas një lëndimi. Sulmuesi i Barcelonës ka lindur në Guinea-Bissau dhe familja e tij u transferua në Sevilje kur ai ishte fëmijë. Ai e filloi karrierën e tij në akademinë e Sevilla FC dhe më pas u transferua te Barça.
Ai ka luajtur me Spanjën që nga U-21 dhe u thirr për herë të parë në ekipin e të rriturve më 2020.
Ai është golashënuesi më i ri për La Roja.
Rogelio Funes Mori, Meksikë
Funes Mori është një nga ata të jashtëzakonshëm: ai u bë shtetas dhe anëtar i ekipit kombëtar të Meksikës si i rritur. Ai ka lindur në Mendoza, Argjentinë, në vitin 1991. Vëllai i tij binjak, Ramiro, është gjithashtu një futbollist.
Ai filloi karrierën e tij në Ruver Plate, kaloi në futbollin portugez dhe më pas në Turqi, duke zbritur më 2015 në Club de Fútbol de Monterrey, Los Rayados.
Ai u thirr në Argjentinë U-18 në vitin 2009 me Ramiron, kur ishte anëtar i River dhe gjithashtu në ekipin e të rriturve në 2012, por për një ndeshje miqësore.
Sulmuesi u bë kombëtar meksikan dhe në vitin 2021 u thirr nga Gerardo “Tata” Martino në vitin 2021 dhe në debutimin e tij shënoi një gol. Ai ka luajtur 16 ndeshje me Meksikën.
Raheem Sterling, Angli
Sulmuesi anglez Raheem Shaquille Sterling, i cili ka bërë 79 paraqitje për kombëtaren dhe ka shënuar 19 gola, ka lindur në Kingston të Xhamajkës.
Si fëmijë i vogël, familja e tij u shpërngul në Londër. Ai debutoi në U-16 në vitin 2009 dhe që atëherë është thirrur në të gjitha kategoritë.
Sterling aktualisht luan për Cheslean dhe ka luajtur në Kupat e Botës 2014 dhe 2018, në të cilat Anglia ishte e katërta.